Kryeministri indian Narendra Modi mbërriti këtë të diel në Kinë, me hijen e tarifave doganore të reja amerikane që vazhdon të rëndojë mbi ekonominë e vendit të tij.
Që prej së mërkurës, produktet indiane drejt SHBA-së, përfshirë diamantet dhe karkalecat, përballen me tarifa doganore deri në 50%, si një masë ndëshkuese nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga India.
Sipas ekspertëve, këto tarifa përbëjnë një goditje të fortë për sektorin e eksportit të Indisë, një ndër shtyllat e saj ekonomike, dhe mund të rrezikojnë objektivat ambicioze të rritjes së vendit.
Në të njëjtën kohë, Presidenti kinez Xi Jinping përpiqet të ringjallë ekonominë kineze, e cila po has vështirësi të mëdha, pjesërisht për shkak të tarifave të larta të vendosura nga SHBA.
Në këtë kontekst tensioni global, takimi mes dy liderëve të vendeve më të populluara në botë vjen si një mundësi për një rivendosje të marrëdhënieve dypalëshe, marrëdhënie që historikisht kanë qenë të ngarkuara me mosbesim dhe tensione kufitare, raporton BBC.
Si mund të bashkëpunojnë ekonomikisht Kina dhe India?
India vazhdon të jetë e varur nga Kina për prodhimin e saj, sepse furnizohet me lëndë të para nga ko e fundit, ndaj ka të ngjarë që të kërkojë tarifa doganore më të ulëta importi për mallrat, shkruan më tej BBC.
Sipas ekspertëve, politikat e ashpra industriale të Indisë deri më tani e kanë penguar atë të përfitojë nga zhvendosja e zinxhirit të furnizimit nga Kina në vendet e Azisë Juglindore.
Duke pasur parasysh kompleksitetin e marrëdhënies, një takim i vetëm nuk ka gjasa të ndryshojë shumë. Ka ende shumë për të bërë në përmirësimin e marrëdhënieve Kinë-Indi.
Por vizita e Modit në Kinë mund të riparojë disa armiqësi dhe t'i dërgojë një sinjal shumë të qartë Uashingtonit se India ka mundësi.
Komente
