Opinion
Periferi

Të vdesësh nga një qiri në 2021, si Krisanthi

29 Nëntor 2021, 17:08| Përditesimi: 29 Nëntor 2021, 17:16

  • Share

Fshati Derviçan ka shtëpi të bukura prej guri. Siç duket nga jashtë, edhe shtëpia e vogëlushes Krisanthi Ndrico, 12 vjeçe, është e bërë bukur. Prindërit e saj, gjyshërit, do të kenë punuar shumë për ta ngritur të fortë e komode, ndoshta me dëshirën e madhe për t’i krijuar kushte të mira edhe vogëlushes, e spektrit të autizmit.

Fshati Derviçan është i bukur. I ngritur në faqe mali në Dropullin e poshtëm. Ndërsa Shqipëria festonte Pavarësinë, ndërsa shumë prej nesh krenoheshim nëpër rrjete sociale sa bukur është me qenë shqiptar, në shtëpinë e vajzës së vogël, një qiri i ndezur për të ndriçuar nga mungesa e energjisë elektrike, do të ishte fatal jo për prindërit që vrapuan të kërkojnë ndihmë, as për gjyshin, që menjëherë mendoi se e vuri vajzën në siguri duke e izoluar në banjë, por për të. Krisanthi do të ketë ndjerë më shumë se të gjithë të tjerët rrezikun, (fëmijët e spektrit autik kanë një ndjeshëri shumë të lartë), e ndërsa flakët nuk e arritën dot në banjon e mbyllur, tymi i dendur rezultoi për vogëlushen, fatal.

Në këto ditë shiu, të ftohti dhe bore, Derviçani vuan për furnizim me energji elektrike. Edhe rrugët e fshatit, duken të lëna në mëshirë të fatit nga kush mund të përpiqet të bëjë më shumë për këtë komunitet minoritar. Ndërsa sa për ne të tjerët, ne të qendrës, larg periferive, mbetet një lajm që shpejt do të tejkalohet nga ngjarje të tjera, e të tjera, e të tjera pastaj. Në fund të fundit kemi drita, kemi ujë, kemi ngrohje. Vogëlushja Krisanthi mund të ishte edhe një vajzë e vogël e mbytur në detin Mesdhe, apo në Siri, apo në Afganistan. Për ne të qendrës, të Shqipërisë së vogël, Derviçani është shumë larg. U bëfsh dritë për gjithë ne që nuk shohim, vogëlushe e veçantë!

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?