Teksa afatet kohore drejt 11 majit po ngushtohen, të vegjlit po intensifikojnë takimet me qytetarët për të bindur votuesit e pavendosur të shkojnë drejt tyre. Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj të Koalicionit “Djathtas për zhvillim”, u ndalën këtë të premte tek qytetarët e bizneset në zonën e ish tregut elektrik në Tiranë.
Qëllimin thonë se e kanë të grumbullojnë çdo votë në mënyrë që të përfaqësohen në parlamentin e ri.
"Nuk do bëjmë hata, por hapa të vogla përpara. Mund të marrim 1, por edhe 5, pa mandate nuk dalim. Ne besojmë se 20-30% e shqiptarëve këtë radhë do të votojnë ndryshe dhe ky është një shans i madh për Shqipërinë, e këtyre më të rinjve se unë”, tha Shehi.
Ai akuzoi Partinë Socialiste dhe atë Demokratike se janë bashkë dhe punojnë e bëjnë ligje për interesa të përbashkëta, me qëllimin për të ruajtur status-quo-në në politikë.
“Në mënyrë simetrike ata mbështesin njëri-tjetrin, e nuk duan lojtarë të rinj në fushë. Që kur bën këtë ligj, këtë lloj marrëveshje mes dy palëve, qytetarët duhet ta kuptojnë se këta janë bashkë. Kundërshtarë kanë ata që duan ndryshim, ky është realiteti. Mund të mos e kuptojnë të gjithë sot, për inerci do vazhdojnë të votojnë por pasaporta europiane është një mirazh bosh pa vlerë. S’shoh gjë tjetër. Nga krahu tjetër shoh premtime madhështore, por nuk e di si mund të bëhen këto punë”, deklaroi Shehi.
Por jo gjithmonë e kanë të thjeshtë të bindin ata që deri dje i kërkonin votën bashkë me PD-në. Report Tv shkëputi për pak minuta nga turi i takimeve Enkelejd Alibeajn, drejtuesin e “Djathtas 1912”. Për të, 11 maji duhet të ketë një përfundim:
“Edi Rama të mos jetë kryeministër, Sali Berisha jo e jo, më duket 11 maji do të jetë fundi i tyre”, thotë Alibeaj.
Këtë ide, ia përforcon edhe retorika e kësaj fushata e Edi Ramës e Sali Berishës që shpesh bëjnë thirrje të mos votohen partitë e vogla.
“Disfatë e brendshme që po ju ndodh. Vazhdojnë me klishetë e vjetra të dala boje. Parashikoj që më 11 maj do të ketë një çlirim të energjisë dhe sukses të partive të reja”, vijon Alibeaj.
“Djathtas për Zhvillim” po zhvillon një fushatë larg syrit mediatik, duke përdorur forma të fushatës në rrjetet sociale.
Komente

Alibaba me hajdutet kerkojne nje vend ne parlament ? Po ju shpelafte motja, çfar bete ju kur ishit ne pushtet ? Ju nuk keni fytyre per te kerkuar votat .Edi Rama kryeministri qe I ka munguar Shqiperise Fitore Shqiperi 2030
Përgjigju