Ndërsa provimet e maturës po afrojnë, nxënësit përballen me një aventurë sfiduese: zgjedhjen e profesionit të tyre. Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit arrinte në përfundimin se të rinjtë janë thuajse të vetëm në vendimmarrjen për të ardhmen e tyre, pasi sistemi i ngritur nga Ministria e Arsimit është thuajse totalisht jo funksional.
Nisur nga ky përfundim i KLSH, Erion Muça, ekspert i punësimit, thotë për Report Tv se rreth 50% e gjejnë “shpëtimin” në motorët e kërkimit në internet për të marrë informacionin e duhur, si udhërrëfyes kryesor.
“Studimet tregojnë se kërkimet në internet me saktë “Google” është ai që ka dominuar me rreth 47% të orientimit të tyre për të zgjedhur degën edhe karrierën e tyre. Së dyti ndikimi i familjes, i të prindërve edhe i të afërmeve që punojnë në fusha të caktuara profesioni se në një formë apo një tjetër ka ndikuar të këta edhe së treti ndikim ka edhe informacioni që ata kanë dhe marrin përmes medias”, thekson Muça.
Një zgjedhje e gabuar në arsimin parauniversitar mund të kthehet në një labirint me pasoja të rënda që mund të përfundojë deri të shtyrja e të rinjve drejt emigracionit.
“Duke bërë një shkollë që nuk i përgjigjet interesit, pritshmërimeve apo edhe dëshirave të tyre duke sjellë më pas pasoja të rënda ku më e shpeshta është vështirësia për të gjetur punë. Sjell zhgënjim, sjell mungesë dëshire për të punuar edhe sjellë më pas edhe një ndikim të lartë në papunësinë e të rinjve dhe prirje imidiate të të rinjve drejtë emigracionit”, thotë eksperti i punësimit Erjon Muça.
KLSH ngriti shqetësimet për mungesën e orientimit të strukturuar dhe efektiv. Sipas raportit, ligji aktual për arsimin parauniversitar nuk parashikon dispozita specifike për orientimin e karrierës, dhe kjo ka çuar në mungesën e një strukture të qëndrueshme dhe të koordinuar për këtë fushë.
“Një nga nevojat imediatë të shkollave është rritja e kapaciteteve të personave që ofrojnë këshillimin e karrierës. Këshillimi i karrierës nuk duhet të jetë vetëm lëndë më vete, jo vetëm të jepet nga mësues të trajtuar, jo vetëm të shoqërohet nga programe të dedikuara specifike dhe praktike që shërbejnë në manual hapash, por edhe do të duhet të kthehet në prioritet të rëndësishëm për funksionimin e brendshëm të shkollës”, shprehet Erjon Muça.
Në vitin 2024, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar udhëzimin caktimin e një mësuesi koordinator për orientimin e karrierës dhe një mësuesi për Sigurimin e Cilësisë për këtë vit shkollor, por sipas KLSH nuk kanë qenë efektive në këtë proces.
Çdo shkollë duhet të caktojë një mësues që do të shërbejë si koordinator për orientimin e karrierës. Por sipas KLSH mësuesit koordinatorë nuk marrin trajnim të plotë për këtë rol dhe shpesh nuk kanë ekspertizën e nevojshme për të këshilluar nxënësit.
Strategjia 2021-2026 e Ministrisë së Arsimit nuk ka të vendosur objektiva për orientimin e karrierës në arsimin parauniversitar. Për raportin e KLSH, Report Tv i kërkoi një reagim edhe MAS, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Komente
