Nesër në mesditë deputetët do tu rikthehen punëve parlamentare, pas sukseseve dhe dështimeve në fushatën e 11 majit.
Në karriget e Kuvendit ulen sërish deputetët aktualë, të cilat kanë mandat deri më 9 shtator kur nis punimet përbërja e re e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e fundit.
Gjatë kësaj periudhe, në komisionet parlamentare dhe në seancën plenare do të raportojnë institucionet e pavarura, nisur nga SPAK, raportime të përvitshme këto që u shtynë kësaj radhe prej zgjedhjeve.
Kuvendi në largim, mund të miratojë ligje deri në 9 korrik, pasi Kushtetuta nuk lejon të kalojnë akte të tilla në 2 muajt e fundit të legjislaturës.
Kryeministri Rama ka shprehur ambicien që brenda këtyre muajve të miratojë atë që e quan “paqja fiskale”, një skemë e cila ofron marrëveshje me bizneset për të shmangur kontrollet shtetërore e për të deklaruar paratë e fshehura, kundrejt një tatimi fiks.
Nëse do të shkruhet në formën e një faljeje, Rama mund ta kalojë aktin me 71 vota, pra që tani. Ndërsa nëse do të marrë trajtat e amnistisë, do të duhen 84 vota, të cilat socialistët mund t’i garantojnë lehtë në shtator e tutje për shumëçka, nëse vijon pakti i heshtur politik me Tom Doshin. 83 kartonët e tij jeshil, dhe 3 të PSD-së, e bëjnë Edi Ramën për herë të parë kontrollues të një shumice të cilësuar për të ndryshuar Kodet e për të bërë ndërhyrje të forta ligjore.
Kuvendi dështoi në këtë legjislaturë të miratojë një Avokat të ri Populli, për të cilën duheshin 84 vota.
Rendi i ditës
Komente
