"Për fat të keq nuk ka asnjë shenjë nga ana e Rusisë që të tregojë se dëshiron me të vërtetë t’i japë fund kësaj lufte", pranoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në oborrin e Elizesë, mbrëmë, vetëm pak çaste pasi Emmanuel Macron kishte shpallur se "evropianët tashmë janë gati t’i ofrojnë Ukrainës garancitë e nevojshme të sigurisë, sapo të arrihet paqja". Për çfarë shërben, atëherë, një "koalicion i vullnetarëve" që do të hynte në veprim vetëm pasi të ndaleshin luftimet?
Punimet e nisura në shkurt, me nismë franko-britanike dhe të drejtuara nga rreth 35 vende të pranishme sot në Paris, fizikisht ose me videokonferencë, kanë shumë qëllime: ribashkojnë Evropën dhe vende të tjera perëndimore (si Kanadaja dhe Australia) përballë kursit të ri të SHBA; i ofrojnë Ukrainës mbështetje pavarësisht ndryshimit të politikës në Uashington; e vendosin Donald Trump përballë nevojës që të tregojë hapur kartat e tij, duke ofruar ose jo rrjetin e sigurisë për një kontingjent evropian; dhe më në fund, vetëm në plan të fundit, mbledhja e vullnetarëve shërben për të dhënë një kornizë të menjëhershme për pasluftën, në rast se Putini do ta ndalte agresionin në ditët në vijim.
Sot në Paris, "të vullnetshmit" do të bisedojnë gjatë mëngjesit, më pas në orën 14 do të lidhen me Trump në Uashington, dhe në orën 15 — nëse programi respektohet — konferenca për shtyp do të bëjë publike rezultatet e bisedimeve. Para se të mbërrinte mbrëmë në Paris, Zelensky ishte takuar në Kopenhagë me përfaqësuesit e vendeve nordike, dhe edhe mbi bazën e deklaratave të tij, vullnetarët mund të bien dakord mbi tre shtylla:
- forcimi i mbështetjes ushtarake për ushtrinë ukrainase, garancia e parë e sigurisë, mbi bazën e traktateve bilaterale mes Ukrainës dhe vendeve të ndryshme;
- zgjerimi për Ukrainën i nenit 5 të NATO-s, që parashikon ndërhyrjen e aleatëve nëse Kievi do të sulmohej përsëri pas përfundimit të luftës (një sukses i padiskutueshëm diplomatik për kryeministren italiane Giorgia Meloni, e para që e hodhi idenë muaj më parë);
- dërgimi në prapavijat ukrainase i një force franko-britanike për të garantuar armëpushimin e mundshëm (pa Italinë).
Por interesi i ditës lidhet edhe me atë çfarë do të bëjë Trump: a do të ofrojë ai backstop-in amerikan, pra një rrjet sigurie të gatshëm për të mbështetur dhe bërë të besueshme masat evropiane, apo do të kufizohet t’i japë edhe pak kohë Putinit, pikërisht sot kur skadon afati i "dy javëve" të dhëna për gjetjen e paqes?
Nga këndvështrimi i Italisë, burime nga Pallati Chigi theksojnë se mungesa fizike e Melonit — do të marrë pjesë me videokonferencë, ashtu si kancelari gjerman Merz dhe shumë të tjerë — nuk është e lidhur me dëshirën për të treguar një qëndrim ndryshe: në axhendë ishin tashmë të planifikuara Këshilli i ministrave dhe vizita e presidentit polak Karol Nawrocki. Përjashtohet dërgimi i trupave, Italia mund të marrë pjesë në aktivitete "të monitorimit dhe trajnimit jashtë kufijve ukrainas", edhe në këtë rast "vetëm pasi të arrihet ndërprerja e armiqësive"./Corriere della sera
Komente
