Teatër/Kinema te ‘Arkiva’, Bido: Akses në dokumente online dhe salla studimi, në 2030 s’do kemi zili asnjë në botë

27 Dhjetor 2023, 18:18| Përditesimi: 27 Dhjetor 2023, 18:32

  • Share

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave festohet këtë fund vit një tjetër premtim i mbajtur. Hapësira e re prej 140 vendesh që do të shërbejë si teatër e kinema e plotëson idenë fillestare të krijimit të një kompleksi kulturor në këto ambiente, me synim edukimin dhe argëtimin.

“Kjo kinema dhe teatër i hapur, është pjesë e një tërësie të një qendre multifuksionale që ne po krijojmë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në mënyrë që mund të afrojmë brezin e ri. Vec kësaj po krijohet një hapësirë e re studimi në natyrë që mund të jetë e aksesueshme prej fillimit të vitit. Është Muzeu Arkivor që do të prezantohet vitin e ardhshëm, së bashku me sallën e leksioneve që plotësojnë një mozaik që i shtohet Tiranës në një pikë që është e aksesueshme lehtësisht”, shprehet drejtori i përgjithshëm i DPA, studiuesi Ardit Bido.

Shfaqja e materialeve mbi një shekullore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, është sprova e parë. Shqipëria në tri dekadat e para të ‘900-ës, Pamje nga jeta e Durrësit 109-vjet më parë, “Ardhja e Princ Vidit” ekranizohen para akademikëve, pedagogëve e studiuesve të tri brezave. Një hap më shumë për të afruar qytetarët me Arkivat, siç thotë drejtori Ardit Bido, e që shoqërohet sipas tij me lehtësimin e burokracirave për akses në dokumentacion.

“Çdokush mund të aksesojë në dokumente edhe online. Po kështu ne po hapim salla studimi kudo në trevat shqiptare që kushdo që dëshiron të studiojë mund ta bëjë edhe nga qyteti i tij”.

‘Arkiva’, pa humbur qëllimin e saj parësor të ruajtjes së dokumenteve, është projektuar të kthehet në qendër multifunksionale, për të cilën krahas teatrit dhe Muzeut Arkivor është menduar të krijohet edhe një hapësirë studimi në natyrë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?