Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja thotë se së shpejti Tirana do të pasurohet me një hapësirë të re muzeale në Teatrin e Kukullave.
Në një postim në rrjete sociale, ministri shprehet se projekti parashikon krijimin e një ambienti me ekspozitorë dhe instalacione artistike, ku do të prezantohen arkiva dhe kujtime nga shfaqjet ndër vite, për të ofruar një përvojë më tërheqëse për fëmijët e vizitorët.
Gonxhja thekson gjithashtu se edhe repertori i shfaqjeve vazhdon të zgjerohet, teksa përmend se vetëm gjatë këtij viti, janë dhënë mbi 120 shfaqje me mbi 17,500 spektatorë, të vegjël dhe të rritur.
"Së shpejti një hapësirë e këndshme muzeale i shtohet kryeqytetit! Ka nisur puna për pasurimin e Teatrit të Kukullave me ekspozitorë, kënd suveniresh dhe instalacione artistike, ku do të prezantohen arkiva të shfaqjeve të kukullave ndër vite, duke e bërë vizitën e vogëlushëve edhe më interesante për t’u njohur me magjinë e skenës! Repertori i shfaqjeve vijon të zgjerohet me premiera të reja dhe një interes gjithnjë në rritje nga publiku – vetëm gjatë këtij viti, pas përurimit të godinës së restauruar, janë dhënë mbi 120 shfaqje me mbi 17,500 spektatorë, të vegjël dhe të rritur!", shkruan ministri.
Një pjesë e godinës, sipas tij, do t’i kushtohet historisë së saj si parlamenti i parë shqiptar me dokumente, fotografi dhe objekte.
“Një pjesë e veçantë e godinës do t’i kushtohet historisë së saj si Parlamenti i Parë Shqiptar, aty ku u hodhën hapat e parë të jetës parlamentare në vend. Dokumentet, fotografitë dhe objektet e ekspozuara do ta bëjnë këtë hapësirë një pikë referimi për vizitorë vendas dhe turistë të huaj, të cilët kanë shfaqur interes gjithnjë e më të madh për këtë aspekt të historisë.”, shton Gonxhja.
Komente
