Teatri i Operas sjell ‘Një ballo me maska’ me skenografinë 109-vjeçare të teatrit Regio Di Parma! Golemi, Di Vietri e Likaj si protagonistë të veprës së Verdit

30 Maj 2022, 17:21| Përditesimi: 30 Maj 2022, 17:32

  • Share

Qershori në Opera nis me “Një ballo me maska”, një produksion i Teatrit Regio di Parma, që vjen në Tiranë për 4 net radhazi në sajë të bashkëpunimit të nënshkruar mes 2 institucioneve. Në sheshet kryesore të kryeqytetit do të mbahen minishfaqje në kuadër të programit shqiptar të “Verdi off”.

“Opera prej shekujsh bën të njëjtën gjë, bashkon njerëzit anë e mbanë botës, për të trashëguar mesazhet më të forta, mesazhe të cilat kanë krijuar historinë në fakt të njerëzimit”, thotë drejtorja e TKOB, Zana Çela.

“Është një ogur i mirë që rihapim kantieret e kulturës me aktivitete të tilla të mëdha”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

E bën unik këtë vënie të operas së Verdit me katër akte, trashëgimia skenografike italiane, që  daton 109 vite më parë dhe është zbuluar rastësisht në magazinat e Teatrit Regio di Parma, pa pasur askush dijeni për ekzistencën dhe vlerat e tij. Pas restaurimit që mori një vit kohë, është shfaqur në Itali ku protagonisti konti, interpretohej nga tenori shqiptar Saimir Pirgu.

 “Ishte një zbulim në magazinën e Teatrit. Gjithë kjo letër e mbledhur për të cilën nuk kishin dijeni se çfarë ishte. E hapën dhe kuptuan se bëhej fjalë për një spektakël, për spektaklin “Një ballo me maska”. Dhe është tërësisht e vizatuar në letër, diçka unike në të gjithë Italinë!”, thotë skenografia Leila Fteita.

Në natën e parë, sopranoja Eva Golemi do të interpretojë rolin e Amelias, ndërsa Likaj do të jetë në rolin e Renatos. Protagonisti, konti Riccardo i takon kastit italian dhe është Dario Di Vietri.

“Janë të gjithë artistët të mrekullueshëm Renato, Amelia, dhe pastaj të mendosh që do interpretojmë me një skenografi në letër që për ne artistët e sotëm është e paimagjinueshme, është diçka shumë e bukur të shikosh punën e vërtetë që bënin artizanët dikur! “, thotë protagonisti i shfaqjes tenori Dario Di Vietri.

“Unë dhe të gjithë kolegët e mi, pavarësisht periudhës së shkurtër që kemi pasur në dispozicion, kemi bërë më të mirën e mundshme. Ky është një produksion fantastik, klasik siç unë e kam dashur gjithmonë, dhe vërtetë publiku do të kënaqet do të shikojë atë kohën e atëhershme përmes skenografisë”, thotë sopranoja e parë e TKOB, Eva Golemi.

Bashkëpunimi me Teatro Regio Di Parma, do të vijojë edhe në dy vitet që pasojnë me  operat “Traviata” e “Rigoleto”, ndërsa nga 31 maji në  7 qershor publiku do të ketë mundësi të shikojë mbi 50 aktivitete nga Java Italiane.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?