Kujtojmë sot, në ditën e lindjes (7 prill 1939), ikonën e këngës shqiptare Vaçe Zelën, që me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut shqiptar si edhe muzikës shqiptare zërin e saj të artë. Soliste e parë e AKKVP–së që nga viti 1968 deri në vitin 1988. Në çdo sukses të merituar që ka arritur Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore si brenda dhe jashtë vendit, këngëtarja e shquar Vaçe Zela bëri për vete një publik mjaft të gjerë. Ajo me zërin e saj transmetoi tek spektatori emocione të fuqishme dhe të papërsëritshme. Pjesëmarrëse në shumë festivale të muzikës në RTSH që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor, Vaçe Zela është vlerësuar me çmimin “Nder i kombit”.
Foto TKOB, Vaçe Zela
Teatri i Operës kujton Vaçe Zelën, "Legjendën e këngës shqiptare", në 81-vjetorin e lindjes
Këngëtarja që la gjurmë të pashlyeshme në mendjen edhe zemrën e çdo shqiptari, Vaçe Zela, sot do të festonte 81-vjetorin e lindjes. Por, edhe pse para gjashtë vitesh ajo do të përcillej për në banesën e fundit nga i gjithë populli shqiptar, përmes artit që ka lënë pas vazhdon të mbetet e pavdekshme
Redaksia