Brenda dy viteve Tirana do të ketë të ndërtuar stolinë më të re në qytet: Teatrin e ri, që do të jetë kryefjalë e vitit të kulturës në 2025. Ky ishte zotimi i kryebashkiakut Erion Veliaj që inspektoi punimet në kantierin ku po ndërtohet teatri.
“Sot quajmë zyrtarisht hedhjen e themeleve të Teatrit me sistemin e diafragmës. Do të shfrytëzojmë vjeshtën dhe dimrin e këtij viti, plus gjithë vitin tjetër, që të mbarojmë karabinanë e godinës. Më pas do të kujdesemi më shumë për foninë, akustikën, skenën, prapaskenën, nënskenën, mbiskenën, dhe të gjitha mjetet e nevojshme teknike për të pasur vërtetë një kryevepër. Pastaj, të kujdesemi vetëm për pjesën e pajisjeve, që në kohë rekord, sidomos në vitin 2025, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, të kemi finalizimin e kësaj kryevepre”, u shpreh Veliaj.
Veliaj tha se projekti që fillimisht u shoqërua me histerinë politike, tashmë mezi pritet nga qytetarët.
“E di që ishte një vendim që u politizua, që kaloi përmasat e histerisë, por besoj se ka një konsesus publik që ajo kasolle e bërë me algat e presuara të mbetjes së shkrepësve të fabrikës fashiste në atë kohë, ishte një vjetërsirë që i kishte ardhur koha të zëvendësohej", tha Veliaj.
Teatri i Ri, do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, po edhe pritet të jetë një nga veprat më të mira të të njëjtit lloj në Europë.