Nisur nga ringritja e problemit të Teatrit Kombëtar, nga një vendim i qeverisë për të kaluar pronësinë Bashkisë së Tiranës, fill pas kalimit të rrezikut të madh të Covid-19, u rizgjua grupimi për mbrojtjen e saj. Natyrisht është demokraci, që funksionon pavarësisht se politikisht trumbetohet e kundërta, se në Shqipëri nuk ka një demokraci funksionale. Nisur edhe nga praktika e këtyre viteve, a mund të ndodhë që nëse një institucion ka përsipër menaxhimin e një prone, të një ambjenti publik, qoftë një shkollë, një godinë administrative, qoftë dhe Teatrin aktual Kombëtar, ta pengosh instucionin me uzurpime force?
Nëse bashkia aktualisht ka marrë në pronësi një pronë publike shetërore, me një VKM, e para që duhet të bëjë, është marrja në dorëzim e godinës dhe inventarit të gjithçkaje që ndodhet në të sepse në atë moment, dikush do e marrë përsipër dhe këtu fillon përgjegjësia ligjore e administratorit. Në këtë rast, dihet që Teatri Kombëtar, ka një një inventar real me objekte të rëndësishme, që i përkasin veçanërisht rekuizitës, si pjesë e çmuar e trashëgimisë teatrale. Po ashtu projekt bocetet e skenografive, kostumografive të bëra nga mjeshtra si Agim Zajmi, H. Devolli, Sh. Hysa dhe më të rinjve, shumë foto nga drama të ndryshme, shkrimet origjinale te dramave, përkthimet e pjesëve të huaja, platforma regjizoriale e të mëdhenjve si P.Mani, S.Pitarka, S.Luarasi. Të gjitha këto duke përfshirë dhe aparaturat dhe çdo inventar tjetër teknik që kanë kosto financiare dhe për to dikush ka fimosur dhe mban përgjegjësi ligjore.
Le të marrim rekuizitën, veshje të aktorëve më të mëdhej si N. Frashëri, S. Prosi, S. Pitarka, P. Gjoka, K. Rroshi, P. Mima, V. Manushi, Y. Mujo, B. Imami, D. Pelingu, E. Luarasi, N. Luca, M.Luca. T. Flloko e shumë të tjerëve. Pyetja është, a i ka parë njeri dhe a është kujdesur dikush për to, kur mendohet se kanë të drejtë ta mbajnë në formë pengu?! A di kush sa vlerë mund të kenë ato veshje nesër, kur Shqipëria mos të jetë si sot, që mbijeton, por një shoqëri e pasur në shumë aspekte ekonomike kulturore? Unë sinqerisht e shoh dhe e shtroj këtë si një problem shumë të rëndësishëm. Sepse çmoj se historia e vërtetë janë regjistrimet e lojës së aktorëve, është fryma e tyre, është në ato veshje, në ato foto, në ato platforma regjizorësh, në ato kostume dhe skenografi, ku është ndjerë dridhërima e roleve që janë luajtur me shpirt dhe rrahjet e zemrës të secilit prej aktorve të mëdhej. Këto janë punë konceptesh mbi kuptimin e vlerës së një objekti, mbi trashëgiminë.
Unë si një artist pamor, që kam patur fatin në këtë vënd të drejtoj disa institucione arti, e kuptoj se drejta nuk anon tek një palë, pa përfillur së pari, ato norma ligjore që kanë dalë si rezultat i rregullimit të marrdhënieve të interesit, në një shoqëri të zhvilluar apo më pak, si është kjo e jona. Nisur edhe nga eksperienca në fushën e artit pamor me shumë aktivtete ndërkombëtare kontakte me shumë institucione, jam shumë i qartë se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh. Për fat të keq tek ne edhe tek një brez më i ri, vazhdon të sundojë mentaliteti gjysëm socialist dhe gjysëm kapitalist. Po e argumentoj: në një galeri arti, ku veprat e piktorëve ekspozohen për publikun, në momentin që hapet dera, zot është publiku; kështu ndodh edhe në teatër, aktori luan në skenë, publiku shijon lojën dhe admiron talentin. Marrëdhënien me këtë publik e ka detyrë galeria, teatri, piktori të ekspozon, aktori të luan dhe institucioni i vë në dispozicion hapësirat, që të komunikojnë talentin e tyre me publikun.
Në rastin e Teatrit Kombëtar, apo Galerisë Kombëtare të Arteve, janë instucione shtetërore apo publike në gjuhën e sotme. Si të tilla janë institucione që organizojnë veprimtarinë mbi rregullore të hartuara në bazë të ligjeve nga instucione që e kanë në vartësi. Ato ngrihen për interesa të shoqërisë dhe si të tilla përformojnë agjendën në dobi të publikut dhe zhvillimit të artit. E them këtë se të luash në një teatër sot, për një publik të caktuar, kjo nuk do të thotë që gëzon ndonjë të drejtë pronësie mbi skenën ku interpreton, aq më shumë ta mbash në formë pengu meqë, nuk je dakort për rindërtimin e tij.
Sepse çdo krijues, i çdo lloj arti, në kohën e sotme, nuk janë raporte varësie me institucionin. Se mund të luash në një teatër privat dhe pastaj meqë ke luajtur, ta uzurposh. Ky është Teatri Kombëtar, pronë e shtetit shqiptar, që paraluftës u përdor si godinë për disa shërbime të kohës, pastaj u përshtat si teatër kombëtar. Me një histori që dihet, kanë kaluar breza aktorësh, regjizorësh, skenografësh, disa janë ndarë nga jeta, disa të tjerë gëzojnë pensionin e pleqërisë, të nderuar gjithmonë nga publiku. Asnjë nga ata, edhe kur kanë marrë pjesë në debate, nuk kanë thënë se i takon të marrin diçka, apo të kenë pronësi mbi të, shumë prej tyre kanë apeluar për ta rindërtuar po aty një të ri.
Pronësia ishte në inventarin e Ministrisë së Kulturës, dhe me VKM i kaloi Bashkisë së Tiranës. Me të drejtën që buron nga ky vendim, Bashkia e Tiranës po ndërmerr gjithë masat ligjore, sipas rregullave të administrimit të institucioneve, që fillon me inventarin përkatës, më tej do vendosë bazuar mbi shtrategjinë e zhvillimit urbanistik të Tiranës. Bashkia është një instiucion që administron një territor të caktuar, në gjithë aspektet e saj. Këtë të drejtë e fiton nga vota e popullsisë në zgjedhjet lokale. Pra, ka legjitmitet të deleguar popullor edhe për menaxhimin e pronës brenda kufirit administrativ. Në këtë rast, edhe për Teatrin Kombëtar, ka fituar pushtet të deleguar nga një VKM, dhe nga e drejta e administrimit teritorit. Nëse Ministria e Kulturës për arsye të saj, nuk e kreu si duhet menaxhimin dhe të drejtën e pronësisë mbi teatrin, kjo nuk do të thotë që Bashkia të vazhdojë të njëjtin qëndrim, duke lejuar edhe më tej, këtë gjendje të papëlqyer, të uzurpimit të një prone publike të qytetit. Interesi i saj shkon përtej një momenti aktual, sepse përgjegjësitë shtihen për detyrimin për zhvillimin propocional të Tiranës. Kërkesa për të krijuar hapësirat ligjore, për të funksionuar buron nga e drejta, por dhe morali se në atë godinë, për momentin jashtë funksionit e kontrollit, ka në brendësi një fond me vlera të konsiderueshme të trashëgimisë, pra një inventar me përgjegjësi ligjore.
Çfarë po ndodh realisht këto ditë?
Papritur u zgjuan të gjithë pas kalimit të rrezikut kryesor të Covid 19, opozitarë politikë, madje dhe ndonjë institucion. Kjo tregon më së miri, se nuk ka më një kauzë artistike, por thjesht e gjitha kjo u kthye çuditërisht, në një lojë politike. Ku u shkua aq larg, saqë u bë dhe marrëveshje me një forcë politike, ku protagonistët kryesorë nënshkruan bashkëpunimin, madje në atë skenë shenjtë, që kërkojnë ta mbrojnë po nga politika duke humbur kësisoj bardhësinë e kauzës.
Ajo humbi në tërësinë e gjesteve dhe veprimeve në interesa të vogla, ashtu siç humbi dhe shumë figura të shquara që ishin në krah. Sepse nuk rrinë bashkë shpirti i pastër, vlera njerëzore, kauza shoqërore me djallëzinë e investimit politik. Nëse njëra palë mendon se ka të drejtën që të mbajë godinë, pa asnjë mandat delegimi, pala tjetër çfarë duhet të bëjë? Të mbetet peng, kur ka përgjegjësi mbi pronën dhe inventarin e saj? Ndërsa zelli për të mbrojtur godinën prej pupulitesh, duke e përdorur si kauzë për mbrojtje të trashëgimisë, duke mos u pasur interes për atë që është shpirti, fryma, jeta e saj, ku nuk ndihet askush, e kam fjalën për atë inventar që vlen më shumë se një godinë populiti.
Ndërsa kemi dhe një realitet nga një pushtet i kaluar, një urdhër me nr 122 date 05. 03. 2007 i Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sporteve për shpallje monument kulture të kategorisë së dytë të ndërtesave në aksin kryesor të qendrës historike të qytetit të Tiranës. Në këtë urdhër jepen të gjitha objektet që meritojnë të jenë në mbrojtje si të kategorisë dytë si trashëgimi. Pra kjo të habit që ajo politikë që e mbron sot, nuk e ka vënë në asnjë listë, pikërisht godinën e Teatrit Kombëtar.
Kjo ka një arsye shkencore se lista është hartuar nga specialistë të nivelit të lartë akademik, nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Institutit të Arkeologjisë, ku janë përfshirë mbi 100 objekte tjera dhe teatri nuk gjendet në këtë listë. Sepse specialistët më të shquar të vëndit tonë si Prof dr. Emin Riza, Prof dr. Gjerak Karaiskaj, Prof dr. Valter Shtylla, Prof dr. Myafer Kokurti, Dr Gazment Muka, Dr. Latif Lazimi janë specialistët kryesorë në Shqipëri, dhe me sa di, shumë prej tyre janë kritikues të pushtetit sotëm. Nuk e kanë vënë jo se nuk e kanë parë apo harruar, sepse të bësh përcaktime për objekte tilla ka patur dhe ka akoma disa kritere që e përcaktojnë qartë kush quhet objekt të trashigimisë. Këto janë kritere që funksionojnë sipas portokolleve të përcaktura qartë dhe saktë, dhe nuk varen nga politika momentale.
Të jemi të qartë sipas përceptimit tim, pavarësisht tensioneve që ka prodhuar dhe prodhon herë pas here ky problem, që për çudi gjajnë me njëra-tjetrën për nga histeria dhe agresiviteti që përcjellin, kështu u veprua për parkun, një histeri dhe brutalitet i pa imagjinueshëm, rezultati u aprovua nga gjithë qytetarët, një park argëtues për gjithë fëmijët.
Po kështu për sheshin, çfarë ndodhi, një vend ku së paku kalojnë kohën dhe relaksohen një numër i madh qytetarësh, ku kryhen shumë aktivitete argëtuese, si dhe është fitues i çmimeve ndërkombëtare. Brutalitet i paparë për Bulevardin e Ri, sot vendi më kreativ për të apasionuarit pas vrapit, shetitjes etj. Histeri për Pazarin e Ri, çfarë po ndodh atje? Një qendër tregtare dhe argëtuese ku nuk ndryshon nga asnjë treg në vende perëndimore. Pemët si një kontribut mjedisor, korsitë e biçikletave etj. Këto i them se Bashkia ka një vullnet që shkon përmes punës në rezultat. Edhe për Teatrin bashkia që ka organizuar disa diskutime dhe debate, me të gjithë, pjestarë të shoqërisë civile, me aktorë, arkitektë, personalitete të artit, që e ndihmuan për ta kolauduar më mirë disa qëndrime.
Prandaj sot është e qartë, se më e mira për Tiranën dhe Shqipërinë është të ndërtohet prej saj, një teatër dinjitoz, me kushte dhe parametra bashkëkohorë, duke përfshirë dhe një hapësirë sigurisht për të ruajtur atë fond të jashtzakonëshëm, që sot ndodhet në gjendje të mjeruar dhe pa përgjegjës momentalisht. Është normale në shoqëritë demokratike të kohës, mund të mos jesh dakort me shumë gjëra që ndodhin rreth teje, por kur një shumicë kërkon të shkojë përpara, nuk ke të drejtë të pengosh. Kur të kemi Teatrin e ri do kuptojmë të gjithë se kjo ishte histeri e rradhës.
Perfekt z.Hado Ju lunte per argumentat, thjesht, qarte e decizive. Intelektual i nivelit te larte. ...nga c'kemi pare e degjuar nga histeriket gjoja artiste, me lindi mendimi se ata jane kunder se neser ne skenen e teatrit te ri nuk do te arrijne te aktrojne se kjo skene do nivele te larta artistike se edhe spektatori ka nje shije tjeter artistike e do te jete i nje niveli tjeter. Do te luhen vepra artistike te kalibrit te larte, autore te degjuar e jo krijime te castit, pa vlera artistike. Ky eshte mendimi im.
PërgjigjuHisteri e radhes e histerikes Monike dhe b... q... Lulash
PërgjigjuPyetja nuk është korrekte. A duhet shëmbur ndërtesa e teatrit që ka 3 vjet që nuk ka asnjë shfaqje, për të ndërtuar një më dinjitoze? Kjo do ishte pyetje korrekte, se teatri do jetojë, jo si ka jetuar në socializëm, as si këto vite të pas 90-ës, por do jetojë në kushtet e ekonomisë së tregut. Deshëm sistemin kapitalist? Do t'i nënshtrohemi ligjeve të tij.
Përgjigju