Sezoni artistik i teatrit të operës dhe baletit ka nisur sot me premierën absolute të koncertit “Baketa e parë e operës shqiptare” dedikuar 100- vjetorit të lindjes së mjeshtrit Mustafa Krantja.
Dedikimi special vjen në kuadër të 65-vjetorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa celebrimi i këtij jubileu do të vijojë përgjatë një viti kalendarik.
Para ngjitjes në skenë të premierës më mesditë u mbajt një konferencë për median ku ishin të pranishëm drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit Zana Çela, dirigjentët Ermir Krantja dhe Edmond Doko dhe stafi realizues.
Zonja Çela deklaroi se “Pas shfaqjeve të inaugurimit të rikonstruksionit të teatrit tonë ne sot startojmë sezonin artistik tetor-dhjetor 2022 të institucionit, i cili ka edhe 65- vjetorin e krijimit. Në shfaqjet tona ne do të përkujtojmë në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të gjitha ngjarjet më të rëndësishme, siç janë operat dhe baletet e para shqiptare, por edhe njëkohësisht mjeshtërit themelues të teatrit tonë që me kontributin e tyre i dhanë zhvillim jo vetëm teatrit të operës, por edhe artit e kulturë në përgjithësi në vendin tonë”.
Ndërkohë, drejtoresha e Teatrit të Operës ka prezantuar botimin e katalogut “Historia në imazhe”, si botimin e parë të këtij lloji të teatrit të operës.
“Katalogu nis me 132 shfaqje dhe pikërisht nis me shfaqjen e parë të në vitin 1953, opera “Rusalka” dhe ka qenë dirigjenti i parë i kësaj opere Mustafa Krantja”. –tha zonja Çela.
Premiera “Baketa e parë e operës shqiptare” që ka nisur ciklin e premierave nga kolosët që themeluan teatrin e operës dhe baletit sipas dirigjentit Edmond Doko ka një rëndësi të veçantë.
“Kultura shqiptare i ka borxh këtij personaliteti. Opera e bëri detyrën, ne e bëmë detyrën”
“Baketa e parë e operës shqiptare” u dirigjua nga Ermir Krantja dhe Edmond Doko, me pjesëmarrjen e orkestrës dhe korit të TKOB dhe solistëve: Ylber Gjini, Eva Golemi, Dorina Selimaj, Armaldo Kllogjeri, Renisa Laçka dhe Nina Muho.