MetroFest Edicioni 7 çelet me një shfaqje të jashtëzakonshme me tekst nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit, duke interpretuar aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi. “Teatri Metropol ju pret këtë fundjavë, me shfaqjen “Babai dhe Babai”. Një dramë plot emocione nga Jeton Neziraj me regji të Kushtrim Koliqit”, shkruan kryebashkiaku Veliaj
Ky projekt teatror trajton me shumë ndjeshmëri çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Nëpërmjet historisë së Dinit, Sarës dhe Lolës, shfaqja na çon brenda jetës dhe sfidave të një familjeje të dukshme normale.
Por pas kësaj dukshmërie, zbulohet një palumturi e pashpjegueshme që i ka mbërthyer ata përjetë. “Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë. Këtë shfaqje nuk e duam vetëm për talentet që sjell në skenë, por edhe për ngjarjet që na bëjnë të reflektojmë. Është një thirrje për t'i mbajtur ata që i duam pranë nesh, dhe për të ndarë ngjarjet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin tonë. Kjo është një dramë që na sjell përballë me realitetet e hidhura të jetës, vetminë dhe mërzinë, por edhe me dashurinë dhe lidhjen mes njerëzve, edhe kur ata janë të plagosur. Është një reflektim për ata që duam t’i mbajmë afër, pavarësisht sfidave.