‘Teatri vazhdon’/ 20 shfaqje të pesë viteve të fundit në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove online

9 Shkurt 2021, 16:45| Përditesimi: 9 Shkurt 2021, 17:04

  • Share

Teatri vazhdon, por online... Dy drejtuesit e teatrove në Tiranë, atij kombëtar edhe Eksperimental “Kujtim Spahivogëli”, Hervin Çuli dhe Altin Basha, prezantuan në praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti, detajet e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove shqipfolëses, që si rrallëherë në historinë e tij do të organizohet online.

“Në këtë kohë të keqe pandemie, unë së bashku me Altin Bashën, kemi iniciuar organizimin e festivalit mbarëkombëtar, por kësaj here online, nën sloganin “Teatri vazhdon”. Është një nismë shumë e mirë, që do të zgjatë 20 ditë”, thotë Çuli.

Në garë janë 20 trupa teatrore me shfaqje të pesë viteve të fundit, të cilat do të vlerësohen për 9 çmime. 

 “Për të krijuar vlera reale, lindi edhe ideja e realizimit të një festivali online, që përfshin shumë trupa teatrore. Është ky hap i parë, drejt një bashkëpunimi më të ngushtë. Nuk do donim që festivali të mos humbiste radhën e tij. Kështu që bën shumë mirë të mbetet dhe të vazhdojë, ka të gjithë parametrat, çmimet që në një kuptim e simulojnë më shumë. Por, kemi vendos disa kritere, që ta bëjnë serioz festivalin, si cilësia e videos, e audios etj. Janë 20 trupa, në kushte normale do të ishte e vështirë që t’i menaxhonim këto”, thotë Basha.

 “Padiskutim që ka një gjendje dëshpërimi në komunitetin artistik, nuk mund ta mohojmë”, thotë Hervin Çuli.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cilëson këtë iniciativë një mundësi të mirë, për të ardhmen e teatrove shqipfolës, duke uruar që në të ardhmen artistët dhe spektatorët të ribashkohen sërisht në skenën e teatrove

 “Mundësitë e reja, nuk lindin vetëm për pandeminë, por edhe si sfida për të vazhduar një traditë. Për mua është një nga rezultatet më shpresëplotë, sepse të gjithë duam që të rikthehemi në salla, por ne nuk na shqetëson vetëm siguria e spektatorëve, por dhe e artistëve tanë. Shpresojmë që në një moment më afatgjatë, të vazhdojmë që të shtrojmë kërkesën tonë për të hapur teatrot. Do të kemi formula të reja në vijim për të rrit standardin. Është dritarja virtuale, që në një farë mënyre na ribashkon përsëri”, thotë ministrja Elva Margariti.

Festivali Teatror, ku ndër të tjera do të prezantohen shfaqjet “Makbeth”, “Arturo UI”, “Jugori”, “Qyteti i akuzuar”, “Kopshti i vishnjave” etj., nis në datë 23 shkurt online dhe përfundon në datë 15 mars 2021.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?