Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkon ndërprerjen e çdo aksioni për shembjen e ndërtimeve në Theth.
Përmes një deklarate për mediat, Blushi shprehet se banorët e Thethit janë të prerë në besë nga Kryeministri Edi Rama.
“Thethi, një prej perlave më të rralla të natyrës, kulturës dhe krenarisë së turizmit shqiptar, sot po përjeton një terror shtetëror të shumfishtë, jo vetëm shkatërrimin barbar të pronave të ndërtuara në tokat e tyre por edhe dhunimin e dinjitetit dhe trajtimin si kriminelë të malësorëve të ndershëm, punëtorë e patriot, të prerë dy herë në besë nga Kryeministri Edi Rama.
Për herë të parë, u tregua i pabesë kur gjatë fushatës elektorale u premtoi banorëve të Thethit legalizimin e ndërtimeve mbi tokat e trashëguara brez pas brezi. Për herë të dytë, pabesia e tij mori formën e terrorit institucional, kur i detyroi banorët e Thethit të nxjerrin me forcë miqtë dhe turistët nga bujtinat e tyre, një akt që shkel rëndë jo vetëm të drejtën e pronës, por edhe vetë kodin e mikpritjes që është i shenjtë për malësorët dhe të gjithë shqiptarët”.
Aksionet në Theth, Tedi Blushi i konsideron terror shtetëror, teksa bën thirrje për ndaljen e prishjeve, rifillimin e dialogut me banorët dhe procedim penal për përgjegjësit instuticionale.
“Prishjet e ndërtimeve në Theth janë një formë e pastër e terrorit shtetëror, ku pushteti përdor forcën e tij për të shtypur, për të frikësuar dhe për të dëbuar qytetarët nga trojet e tyre në emër të projekteve që nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesat private të Edi Ramës.
Partia e Lirisë, duke shprehur solidaritetin e plotë me banorët e Thethit, kërkon me vendosmëri:
Ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi shkatërrues në Theth, veçanërisht në pikun e sezonit.
Rihapjen e dialogut të drejtpërdrejtë me banorët në praninë e përfaqësuesve të pavarur të shoqërisë civile dhe institucioneve të drejtësisë.
Procedim penal të plotë për të gjithë përgjegjësit institucionalë, përfshi kryeministrin, IKMT-në dhe prokurorinë që ndërpreu hetimet pa bazë ligjore.
Legalizim të ndërtimeve ekzistuese në territorin e trashëguar, si dhe dëmshpërblim për të gjithë banorët e prekur nga aktet barbare të Edi Ramës”.
Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi:
Ndërkohë që regjimi i Edi Ramës vazhdon të rrënojë prona në Theth, duke dhunuar qytetarët dhe shkatërruar një nga pasuritë natyrore dhe kulturore më të çmuara të Shqipërisë, një tjetër aferë kriminale vazhdon pa u ndalur: inceneratori i Tiranës.
Pavarësisht se ky incenerator nuk ekziston, pavarësisht se nuk kryen asnjë shërbim, qeveria vazhdon të derdhë miliona euro nga taksat e shqiptarëve në një gropë të zezë korrupsioni, një grabitje e pastër dhe brutale ndaj taksave të qytetarëve më të varfër të kontinetit, ndaj pensionistëve që mezi shtyjnë ditët për të paguar faturat, ushqimin dhe ilaçet.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për vitin 2025 janë planifikuar rreth 13.98 miliardë lekë për mbështetjen e kontratave koncesionare me PPP, nga të cilat 5.59 miliardë lekë janë investime dhe 8.39 miliardë lekë shpenzime korente.
Krahasuar me një vit më parë, kjo përfaqëson një rritje prej 683.8 milionë lekësh, ose 5.14% më shumë, e nxitur kryesisht nga rritja e planit të pagesave për kontratën e inceneratorit të Tiranës.
Dhe ndërkohë që faktet janë publike, dokumentet janë të qarta, dhe paratë zhduken në emër të një inceneratori fantazmë, pronari de faco i të cilit është Edi Rama, i cili i dha me firmë dhe me vulë bonusin 8% kompanisë kur nuk ekzistonte, SPAK hesht, mbyll sytë dhe mbron Edi Ramën, i cili sot duhet të ishte në burg për këtë vjedhje në mes të sheshit.
Përkundrazi, prej më shumë se 9 muajsh mbahet në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme, në izolim ekstrem, pa fakte dhe prova, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, denoncuesi i parë që çmontoi këtë aferës të përbindshme, sepse për SPAK i duhet mbyllur goja në mënyrë që vjedhësi dhe pronari de facto i kësaj afere, Edi Rama të jetë i lirë për të vijuar me vjedhjet e përbindshme, që ende vijojnë.
Partia e Lirisë dhe Presidenti i saj, Ilir Meta, janë më të vendosur se kurrë për të bërë çdo përpjekje që Edi Rama të dalë para drejtësisë dhe të japë llogari para shqiptarë, si Kreu i Organizatës Kriminale që inceneratorët i ktheu në një makineri gjigande zhvatjeje për popullin më të varfër të kontinentit.
Komente
