Tedi Blushi

Politikë

Edhe Tedi Blushi me kapele: Vendi po përballet çdo ditë me një krizë të thellë ekonomike dhe sociale! Më 11 Maj të ndëshkojmë me votë Ramën

24 Prill, 14:32| Përditesimi: 24 Prill, 17:18

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi thotë se me 11 Maj, kryeministri Edi Rama duhet ndëshkuar me votë, duke e akuzuar si 'arkitektin' e varfërisë në vend. Në një deklaratë për shtyp, ai përmend rritjen e çmimeve, gjë që sipas tij, ka goditur më shumë familjet shqiptare që përballen me probleme ekonomike. 

Blushi u shfaq me një kapele të kuqe, ngjyra e Partisë së Lirisë, me numrin 1. Gjatë fushatës në fjalimet që kanë mbajtur me kapele janë shfaqur kreu i PD Sali Berisha, i cili vendos kapele ngjyrë blu me numrin 1 dhe kryesocialisti Edi Rama me kapele me numrin 5.   

"Kjo rritje abuzive dhe e pandalshme e çmimeve është goditje e drejtpërdrejtë për familjet shqiptare, veçanërisht për të rinjtë, për pensionistët, për të gjithë ata që mbijetojnë me ndihma ekonomike lëmoshë dhe për shtresat në nevojë.", tha ai, duke shtuar se ndërsa qytetarët përballen me kushte të vështira ekonomike, qeveria vazhdon të mbyllë sytë përballë realitetit. 

Sipas tij, kjo situatë dramatike do të marrë fund më 11 Maj nëse qytetarët votojnë për “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndërsa flet edhe për planin e tyre konkret të 100 ditëve të para. 

"Ne kemi një plan konkret që do ta bëjmë realitet në 100 ditët e para duke zhdukur varfërinë ekstreme me anë të minimumit jetik prej 200 euro për çdo shqiptar, për  çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, për çdo të papunë ose person në ndihmë ekonomike, për çdo student me bursë dhe çdo jetim.", tha ai.

Sipas tij, 11 Maji duhet të jetë dita që do të largohet 'kryegjoba' e shqiptarëve. 

"Më 11 Maj, është dita për të ndëshkuar me votë Edi Ramën, arkitektin që hapi dyert e varfërisë dhe uli këmbëkryeq mjerimin në shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare. 11 Maji është dita për të larguar kryetaksën dhe kryegjobën e shqiptarëve dhe për të ndëshkuar armikun më të egër të lirive dhe të të drejtave të njeriut, që nuk ka as minimumin e respektit njerëzor dhe të dhembshurisë ndaj qytetarëve deri duke bullizuar dhe fyer botërisht personat me aftësi të kufizuara.", tha mes të tjerash ai. 

Deklarata e plotë: 

Shqipëria, vendi më i varfër në rajon dhe në Europë, po përballet çdo ditë me një krizë të thellë ekonomike dhe sociale. 
Vendi me rrogat më të ulta dhe pensionet më mizerabël në Europë ka kostot më të larta të jetesës në rajon, hendek dramatik që vijon të thellohet edhe në ditët e fundit në pushtet të Edi Ramës

Çmimet e ushqimeve bazë po rriten në mënyrë galopante, duke kaluar edhe ato të vendeve të Bashkimit Europian.
Në mars 2025, sipas vetë INSTAT-it, indeksi i Çmimeve të Konsumit arriti në 2.1%. Ushqimet janë rritur me 3%, ndërsa produktet bazike si qumështi, djathi dhe vezët kanë pësuar rritje deri në 4.6%, zarzavatet janë rritur me 4% dhe mishi me 3.3% krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar. 

Kjo rritje abuzive dhe e pandalshme e çmimeve është goditje e drejtpërdrejtë për familjet shqiptare, veçanërisht për të rinjtë, për pensionistët, për të gjithë ata që mbijetojnë me ndihma ekonomike lëmoshë dhe për shtresat në nevojë.

Ndërkohë që qytetarët përballen me varfëri ekstreme dhe 80% e shqiptarëve jetojnë sot në kushte të rënda ekonomike, Qeveria e Edi Ramës vazhdon të mbyllë sytë përballë realitetit, duke vijuar t’u japë prioritet oligarkëve dhe pasurimit të një pakice të lidhur politikisht me të. 

Kjo është "Rilindja" që i premtoi shqiptarëve shpresë dhe mirëqenie, por që në 12 vite mbolli vetëm varfëri, përjashtim social dhe presione për bukën e gojës. 

Kjo situatë dramatike merr fund më 11 Maj vetëm duke votuar për Nr.1 “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Ne kemi një plan konkret që do ta bëjmë realitet në 100 ditët e para duke zhdukur varfërinë ekstreme me anë të minimumit jetik prej 200 euro për çdo shqiptar, për  çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, për çdo të papunë ose person në ndihmë ekonomike, për çdo student me bursë dhe çdo jetim. 

Nuk do të ketë më shqiptar, pensionist me pension të plotë apo të pjessshëm që të numërojë kafshatën, që nuk do të mund të blejë më ilaçe, nuk do ketë më të papunë, qytetar me ndihmë ekonomike, studentë me bursë, apo jetim në familje që do marrë më pak se 200 euro.

Pensionet do të rriten me 20%. 

Rrogat minimale do të jenë brenda 3 muajve 500 euro. E gjithë TVSH-ja e blerjeve të tyre do u rikthehet dhe çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale (500 euro) do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjet e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaçeve, duke përfituar rreth 450 euro në vit. 

Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë/këh dhe çmimi i naftës do të ulet me 35-40%. 

Do të falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët.
Për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij, si dhe do të garantohen nga shteti të gjitha mjetet sanitare dhe ndihmëse që u nevojiten. 

Programi ynë është një mundësi për çdo të ri, për çdo pensionist, për çdo punëtor, për çdo fermer, për çdo rrogëtar, për çdo mësues që do ketë rrogën minimale 1500 euro, për çdo mjek dhe infermier që do ketë rrogë të dyfishuar, për të rritur mirëqenien e tyre dhe për të jetuar me dinjitet në Atdheun e tij.

PD–ASHM do ta bëjë rrogën mesatare 1200 euro, rrogë europiane për punë europiane, që qytetarët të mos largohen, që Shqipëria të mos jetë vetëm vendlindje, por vend jete, pune dhe dinjiteti njerëzor.

Më 11 Maj, është dita për të ndëshkuar me votë Edi Ramën, arkitektin që hapi dyert e varfërisë dhe uli këmbëkryeq mjerimin në shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare.

11 Maji është dita për të larguar kryetaksën dhe kryegjobën e shqiptarëve dhe për të ndëshkuar armikun më të egër të lirive dhe të të drejtave të njeriut, që nuk ka as minimumin e respektit njerëzor dhe të dhembshurisë ndaj qytetarëve deri duke bullizuar dhe fyer botërisht personat me aftësi të kufizuara.

Me votën plebishitare të shqiptarëve për Nr.1 ne do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë e mundësive të reja dhe reale për çdo shqiptar për të ndërtuar një familje, për të patur një punë, për të blerë një banesë, për të patur të ardhura më shumë.

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?