Teheran/ Mijëra njerëz në homazhet për presidentin Raisi! Lideri suprem Khamenei: O Allah, nga ai pamë vetëm mirë

22 Maj, 14:52| Përditesimi: 22 Maj, 15:40

  • Share

Në ditën e dytë të homazheve për vdekjen tragjike të presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe 7 zyrtarëve të tjerë, turma të mëdha njerëzish u mblodhën në Teheran. Ceremonitë nisën nga Universiteti i Teheranit nën drejtimin e lideri suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“O Allah, nga ai pamë vetëm mirë”, tha Khamenei për Raisin.

Njerëzit u afruan për të prekur arkivolet me trupat e pajetë, të mbështjellë me flamuj iranianë. Mbi arkivolin e Raisit u vendos një çallmë e zezë për të shënuar gjoja prejardhjen e tij të drejtpërdrejtë nga Profeti Muhamed.

Përveç liderëve kryesorë të Iranit, në ceremoni morën pjesë edhe personalitete të huaja, përfshirë kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, një delegacion i udhëheqësve talebanë të Afganistanit të udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Amir Khan Mutaqqi.

I pranishëm në homazhe ishte edhe lideri politik i Hamasit Ismail Haniyeh, pasi dihet që Irani e ka mbështetur Hamasin gjatë luftës me Izraelin në Rripin e Gazës. Po ashtu në ceremoni ishte edhe Sheik Naim Qassem, zëvendëslideri i Hezbollahut, grupit libanez që mbështetet nga Irani. Mediat raportuan se gjatë homazheve turma brohoriti “Vdekje Izraelit”.

Ceremonitë e varrimit për presidentin Raisi, e zyrtarët që vdiqën në aksidentin ajror gjatë kthimit nga Azerbajxhani nisën të martën në qendrën klerikale shiite Kom dhe në Tabriz, kryeqytetin e Provincës së Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri. Nesër pritet të bëhet edhe ceremonia funerale në qytetin e lindjes së Raisit, Mashhad.

Khamenei emëroi si president të përkohshëm Mohammad Mokhberin, i cili mbante funksionin e zëvendësit të parë të Raisit, ndërsa zgjedhjet për presidentin e ri do mbahen në 28 qershor. Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm, Ali Baqeri Kani, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, sipas mediave iraniane.

Ngushëllime për vdekjen e Raisit shprehu edhe DASH, ndërsa këshilltari i sigurisë në Shtëpinë e Bardhë John Kirby tha se ai kishte shumë gjak në duart e tij pasi mbështeste grupet ekstremiste.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?