Tejmbushet Pediatria e Beratit, mjeku: Fëmijët me temperaturë të lartë, dyshojmë për Omicron, simptomat të ngjashme me virozat

18 Janar 2022, 17:15| Përditesimi: 18 Janar 2022, 17:27

  • Share

Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit është i tejmbushur me fëmijë të sëmurë, ku çdo ditë paraditen nga 70-80 pacientë për vizita. Situata e rënduar e fëmijëve, me një kuadër klinik të ashpër, me temperaturë të lartë e rebele që dominohet me vështirësi vetëm nga kombinacioni i paracetamolit me ibuprofenin, shenja këto të ngjashme edhe mutacionet e Covid-it,i bën mjekët të dyshojnë në përcaktimin e një diagnoze të saktë.

Shefi i Repartit të Pediatrisë Berat, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku shprehet se,simptomat e paraqitura mes virozave dhe Omicron-it tek fëmijët janë të ngjashme dhe vetëm ekzaminimi virologjik bën diferencën e llojit të virusit,shkaktar të sëmundshmërisë.

Sipas Kumarakut, situata virale ka filluar të shfaqet gjatë festave të fundvitit,pasi ardhja e emigrantëve në vendlindje për pushime solli edhe gërshetimin e varianteve të ndryshme të virozave të stinës me Omicronin, për të cilin mjekët nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të nxjerrë një konkluzion përfundimtar.

"Aktualisht paraqiten shumë fëmijë në pediatri, deri tani e kemi konsideruar si virozë të stinës. Fëmijët paraqiten me temperaturë të lartë, temperaturë rebele. Ndaj është krijuar klimë që vijnë shumë familjarë në spital sepse nuk e dominojnë dot temperaturën në kushtet e shtëpisë. Dyshohet gërshetimi i virozës me variantin e ri të Omocron nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të nxjerr konkluzione sepse simptomat janë të ngjashme. Vetëm ekzaminimi virologjik bën diferencën e llojit të virusit,shkaktar të sëmundshmërisë.  Vizitat janë të konsiderueshme në çdo orë të ditës dhe natës, çdo ditë mbi 80 vizita. Situata është e tillë, fjalët nuk janë të plota sepse nuk janë shkencore se nuk e procedon dot nëse është virozë e stinës apo Omicron.  Fakti është se ka shumë të sëmurë me të njëjtat simptoma në një familje, çka tregon se mund të kemi shtrirje të Omicronit apo mutacioneve të ndryshme të Covid-it. Moshat më të prekura kanë qenë deri në përfundim të javës së parë të Janarit nga 0-2 vjeç ndërsa tani ka shtrirje të virozës edhe në grupmoshat e shkollave,nga 10-15 vjeç"-ka thënë Kumaraku.

Sipas mjekut pediatër Vladimir Kumaraku,vizitat në Repartin e Pediatrisë arrijnë në 70-80 vizita çdo ditë,ndërkohë që për shtrimet është përpjekur të reduktohen,për të shmangur grumbullimet e panevojshme që do të sillnin edhe përhapje më të shpejtë të virozës apo Omicronit.

Kumaraku ka pohuar se,ajo që është e rëndësishme është që nuk ka raste të rënda dhe komplikacione,edhe pse temperaturat e larta janë shoqëruar në disa raste me bronko-pneumoni ose infeksione të mushkërisë.

Mjeku Kumaraku i bën apel prindërve që të mos drejtohen menjëherë në spital pasi shohin se fëmijët kanë temperaturë të lartë,por ti mbajnë fëmijët në temperatura konstante, të mos i veshin trashë,tu japin antipiretikë dhe jo antibiotikë pa u këshilluar me mjekun e familjes dhe të shmangin grumbullimet me fëmijë të tjerë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?