Arjela Kolneku dhe Veziko Tata kanë thyer barrierat dhe kanë zgjedhur të ndjekin një karrierë në teknologji, fushë që shpesh shihet si "territor" i djemve.
Të dyja janë aktualisht në vitin e dytë të studimeve në Shkenca Kompjuterike dhe Informatikë të Aplikuar.
“Ka shumë tregje që kërkojnë dhe ka një gamë shumë të gjerë se ku mund të punësohesh. Mund te kesh një mundësi punësimi shumë të mirë, qoftë jashtë shtetit por edhe këtu. Të jepet mundësia të punosh jo vetëm nga zyrat por edhe në shtëpi”, tha studentja Arjela Kolneku.
“Robotikën e kam pas shumë qejf përherë, e di që këtu në Shqipëri akoma nuk është avancuar, thuajse nuk ka hyrë fare. Po pse nesër pasnesër mos ta vazhdoj në një vend tjetër’, tha studentja Veziko Tata.
Arjela dhe Veziko, të dyja 19-vjeçare, tregojnë se si kur morën vendimin për trë ardhmen dhe njoftuan të afërmit për zgjedhjen, u përballën direkt me paragjykime.
“Gjithmonë ka qenë ajo ideja që një vajzë që mëson shume duhet të vazhdojë për mjekësi dhe se teknologjia nuk është për vajzat. Edhe familjaret e mi kanë qenë me këtë mendim që ti duhet të vazhdosh për diçka tjetër sepse teknologjia nuk është për ty. Sepse ka shumë matematikë, ka shumë logjikë. Edhe unë u kam thënë dua të sfidoj veten. Dua ta di nëse jam apo jo”, tha Arjela Kolneku.
“Me thoshte vëllai: çne do futesh ti informatikë, ti s’di të hapesh një numër ËhatsApp. Paragjykimi i parë. Dhe të tjerët me thanë se është një degë shumë e vështirë, që ndoshta nuk e kap dot, nuk do gjesh diçka qe ti do’, tha Veziko Tata.
Sipas ekspertit të ekonomisë Erion Muça, në Shqipëri po vihet re një trend pozitiv. Çdo vit, numri i vajzave që kërkojnë një karrierë në teknologji rritet me 30-40%.
“Numri i vajzave dhe grave që zgjedhin teknologjinë e informacionit rritet çdo vit me një përqindje nga 30 deri 40 për qind. Ku dominonte është preferenca për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Si rrjedhojë e mundësive dhe hapësirave për shume mundësi punësimi që ofron tregu vendas por edhe lehtësirat për të ofruar mundësi edhe në arenë ndërkombëtare”, tha ai.
Për ekspertët jo vetëm në studimet e larta gjithnjë e më shumë vajza regjistrohen në fakultetet e teknologjisë, por edhe në nivele më të ulëta, në shkollat profesionale shifrat e vajzave që regjistrohen janë në rritje.
Komente
