Uran Kalakulla dhe Pjetër Arbnori

Dosje

'Teksa kapter Rustemi hyri në qelinë time dhe më tha se më ishte falur jeta, dëgjoja trokitjet e Pjetër Arbnorit nga qelia ngjitur’, dëshmia e ish të dënuarit

2 Korrik, 07:56| Përditesimi: 2 Korrik, 08:02

  • Share

Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, puntorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

Falja e jetës

Tashmë kishin kaluar 64 ditë qëkurse ndodhesha i lidhur në pranga në “dhomën e vdekjes”, ashtu si Pjetri në të tijën, duke pritur çdo natë të na nxirrnin për të na pushkatuar, tamam si ato bagëtitë kur i çojnë në thertore. Ishte ditë e martë e vitit 1962, data 13 tetor. Para dite, andej nga ora dhjetë, dëgjova se para derës sime, u ndalën hapat e kapter Rustemit, përgjegjësit shtrembaluq të birucave të Koçit. Gjithashtu, nisi të dëgjohej kërkëllima e hapjes së drynit të shulit të derës. Unë s’lëviza fare nga vendi dhe, kur u hap dera, para meje u dha silueta e Rustemit.

- “Çohu, se të kërkojnë”!

Unë prapë s’lëviza. E vështrova kapterin shtrembaluq nga poshtë lart me mospërfillje dhe ktheva kokën mënjanë me përbuzje. Siç kam thënë, ishte ky, ai që na merrte e na çonte në hetuesi. Isha mësuar me të dhe nuk më bënte tashmë asnjë përshtypje. Dhe, për çudi, nuk e kisha marrë inat. Ai kishte vite atje. Kushedi sa të pandehur kishte përcjellë nëpër hetuesira, kushedi sa të dënuar me vdekje u kishte dorëzuar skuadrave të pushkatimit. Ishte si ata përcjellësit e të vdekurve për në varreza, një lloj “Karonti” mitologjik. Veçse nuk përcillte shpirtra, por njerëz ende të gjallë. Dhe me një punë të këtillë, mbante veten gjallë dhe familjen e tij. Ja se si jetesa e njërit dhe e pak të tjerëve të familjes së tij, kushtëzohej nga tortura dhe vdekja e dhunshme e një mori njerëzve, shumë herë të pafajshëm, madje në atë vend krejtësisht të pafajshëm, si të dënuar politikë që ishim. Të bukur zanat që kishte zgjedhur edhe ai mjeran, tek i cili shpirti, sigurisht, kishte marrë ngjyrën e zezë të katranit.

- “Çohu pra, të thashë”! - foli prapë kapter Rustemi.

- “Ku të shkoj”?

- “Ec, se të kërkojnë”!

- “Kush më kërkon”?

- “Atje, ke zyrat”, - u përgjigj ai me atë të folmen e tij prej fshatari të rrethit të Tiranës, që unë e njihja shumë mirë.

- “Kam kryer punë me ta, ka kohë”! - iu përgjigja unë me bezdi dhe pa luajtur nga vendi.

- “Allah, allah! Ec, mor dreq, se m’gjan osht për mirë”, - foli prapë Rustemi, gati si me të lutur.

Atëherë u çova. Një rreze shprese sikur ma ndriti shpirtin. A thua ka ndodhur ndonjë mrekulli, apo është ndonjë grackë e re? Kështu mendova ato çaste, ndërsa dola nga biruca. Vesha shkarpat dhe u bëra gati ta ndjek pas, sigurisht me hekurat prapa shpinës. Por pashë cigaret tek dengu i teshave të mia dhe u ktheva. I thashë kapterit se doja një grusht cigare e, të m’i fuste në xhepin e pantallonave. Ai u bind dhe bëri siç i thashë.

Pastaj e ndoqa pas nëpër korridorin e gjatë në formë L-je, që e njihja tashmë fort mirë. Dhe në atë rast, nuk më zuri syri as edhe një rojë të zakonshme. Ku të ishin futur vallë?! Dhe pse?

A thua se po më çonin drejt vdekjes dhe prandaj kapter Rustemi, nuk më kishte kundërshtuar për cigaret dhe më ishte sjellë me aq butësi dhe durim? A thua po bënin përjashtim dhe kishin vendosur të më pushkatonin në mes të ditës? Bah, s’është e mundur! Kisha dëgjuar, nuk di se ku e se nga kush, që pushkatimi, bëhej pas mesit të natës. Dhe nuk vinin një e dy që të të merrnin, por një tufë nga skuadra e xhelatëve, të cilët të rrëmbenin pa shumë ceremoni, ashtu si një tufë ujqërish të tërbuar, një dele nga tufa. Pastaj ta mbyllnin gojën, që jo vetëm të mos mundje të flisje, makar për të lëshuar ndonjë lamtumirë shokëve, por sidomos për të mos hedhur ndonjë parullë, siç e kisha ndarë mendjen, unë që të bëja. Pra, ku po më shpinin?

Vazhdova të ecja prapa kapterit, me një qetësi të çuditshme në shpirt, madje edhe me një farë gëzimi. Ndërkohë askush nuk pipëtinte brenda nëpër birucat e vargur të gjatë, gati të pambarim. Madje as Pjetri nuk pipëtiu, sikur të mos ishte fare aty. Ai me siguri, mendova, ka mbajtur frymën për të dëgjuar me veshin ngjitur, prapa derës.

Më në fund Rustemi më futi në një zyrë disi të madhe, ku prapa një tavoline pashë dy persona, një burrë të veshur mirë, me rroba civile dhe një tjetër pranë tij, gjithashtu civil, të cilin e njoha menjëherë. Ishte ai kapiteni qeros, që na kishte marrë nga gjyqi për në burg, kur ishim dënuar dhe me të cilin kisha bërë fjalë, pasi më shtyu poshtë shkallëve, sa gati të thyeja qafën.

Zakonisht në hetuesi më kishin pritur turivarur e gjithë kërcënim. Kurse këtë herë ato dy fytyra po me buzëqeshnin, si me dashamirësi. Më ftuan të ulesha në karrigen e zakonshme para tyre dhe ai, që hiqej si më i pari, me pamje disi të hijshme, më foli me të butë, gjithnjë me buzëqeshje në fytyrë, a thua se më njihte prej kohësh dhe që qenkej mik e dashamirës:

- “Hë, Uran, si ia kalove, a je mërzitur ndopak”?

U çudita me sjelljen dhe pyetjen e tij.

- “Si ia kalova? Pyetje është kjo? Si në birucën e vdekjes, i lidhur, si mund t’ia kaloja”?

- “E dimë, e dimë, kështu e kanë këto punë. Por mos u mërzit se unë kam ardhur të të njoftoj, në emrin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, se të është falur jeta”!

Unë mbeta si kërcu në ato çaste dhe nuk më vinte më asnjë fjalë në gojë. Ç’ishte kjo punë? Kjo e papritur, sikur ma mpiu gjuhën dhe mendja sikur më ngriu një çast. Nuk di se si mund të isha bërë në fytyrë, i zbehtë apo i kuq. Besoj se me njoftimin për dënimin me vdekjen isha bërë flakë i kuq nga inati, nga mëria, nga urrejtja po tashti, me njoftimin e faljes së jetës, si duhej të ishte bërë fytyra ime, e zbehtë apo e bardhë fare? Nuk e di!

Ishte e qartë se dy personat e ngarkuar me pushtete të tilla, po më hetonin me vërejtje ato çaste, se nuk kishin më atë gazin e mëparshëm. Ndoshta nuk donin të humbnin asnjë nga shenjat e tronditjes sime, si ata mjekët që bëjnë prova me një të sëmurë, për të parë efektet e një injeksioni të veçantë, që e bëjnë për herë të parë te pacienti i tyre. Por, më në fund, edhe ata, sikurse unë, e mblodhën veten dhe ai më i madhi më pyeti, me buzagazin që tashmë i ishte kthyer në fytyrë:

- “E, a ke ndonjë gjë për të thënë”?

- “Po, kam”.

- “Pa hë, fol”!

- “Desha të pyes, vendimin që më dha Gjykata Ushtarake, a e la në vend Gjykata e Lartë”?

- “Po, ashtu është” - m’u përgjigj si me zor bashkëbiseduesi.

“Të keqen e Gjykatës së Lartë”! - ia bëra unë me ironi dhe vazhdova: - “Unë ende mendoj se vendimi qe fare i padrejtë për mua dhe shokun tim, se ne nuk kishim bërë kushedi se çfarë, për t’u dënuar aq rëndë, maksimalisht, me vdekje”!

- “Mirë, mirë, - vërejti bashkëbiseduesi, - ato punë tashti kanë kaluar, përfundimi ka rëndësi. Jeta t’u fal. Po a ke gjë për të thënë”?

U mendova një çast dhe thashë me vete: “Çfarë duan këta prej meje”? Atëherë më duket se e gjeta se ç’kërkonin. Donin që unë të falenderoja “shokun Enver” dhe “Partinë” dhe të shtoja që; “të rronin të dy sa malet”. Por unë s’kisha ndërmend fare t’ua jepja këtë kënaqësi dhe thashë thjeshtë, vetëm kaq:

- “Shyqyr që paska qenë fat, që djali im të mos mbetet jetim, që në moshë fare të njomë”! Do të doja të shtoja se paskësh qenë fat edhe për time shoqe, që nuk do të mbetej e ve, aq e re sa c’ishte atëherë, por më erdhi turp dhe nuk u ndjeva më. Të pakënaqur, kapiteni qeros dhe ai i madhi i tij, i shtrembëruan buzët dhe atëherë i pari tha, duke iu drejtuar Rustemit, që e thirrën të vinte brenda: “Dëgjo Rustem, këtij i është falur jeta. Tashti e tutje, nuk do t’ia vini hekurat. Futja edhe teshat e fjetjes brenda”!

E pastaj m’u drejtua mua: - “Dëgjo, tash për tash do të rrish atje ku je, sa të gjendet ndonjë vend në burg”. Unë nuk u ndjeva, a thua se burgu ishte hotel me vende të caktuara, se, siç mësova më vonë, atje të rrasnin në një dhomë, si sardelet në kuti, a si fishekët në vezme. Megjithatë s’u ndjeva, sepse ma preu mendja, se ende nuk kishin menduar se në cilin burg të më çonin dhe, nga ana tjetër, në atë birucë, edhe pse quhej, si gjithnjë, “dhoma e vdekjes”, do të isha më mirë se më parë. Do të kisha teshat e mia të fjetjes; gjumin do ta bëja rehat, pa hekura pas shpine; ato pak ushqime dhe cigaret do t’i kisha po brenda, ashtu si edhe llastikën ku derdhja ujët e hollë…!

Por më ra ndërmend diçka tek hodha sytë përqark dhomës dhe vura re në një faqe muri, një raft plot me libra nga ato të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Dhe ndaj i kërkova atij të parit, nëse mund të më jepte disa nga ato libra, që të kaloja kohën. Por ai ma refuzoi këtë kërkesë, ç’është e drejta me njerëzi, dhe unë nuk ngula këmbë. Emrin e kapitenit qeros, nuk e mësova kurrë, kurse atë të të parit po. Ai quhej Rexho Hyseni, çam nga origjina, me gradën major dhe me postin e zëvendësit të kryetarit të hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, domethënë zëvendësi i gjeneralit të zi, Nevzat Haznedarit.

Mos u çudisni me gradën e majorit për atë post që kishte, sepse, si në ushtri, ashtu edhe në Sigurim, si te sovjetikët dhe te nazistët gjermanë, nuk ishin pallaskat që tregonin gjithnjë postin, por besimi që gëzonin në parti dhe Sigurim, punonjësit e tij. Kështu, një toger i Sigurimit kishte më shumë fuqi, se një kolonel i ushtrisë, tamam siç kishte në ushtrinë naziste, një toger SS apo i Gestapos. A nuk thonë se derrat, të gjithë një turi kanë?

Kur pata dalë nga biruca, nuk më ra fort në mendje për fqinjin dhe shokun tim të dënimit, Pjetrin. Por, kur po kthehesha, atëherë ndjeva një dhembje, një keqardhje të madhe për të. Dhe në mendje m’u ngulit pyetja: a do ta thërresin edhe atë për t’ia njoftuar faljen e jetës? Do Zoti, po! Po sikur të mos e thërrasin? O Perëndi, mos e lejo një gjë të tillë! Është edhe më mirë se unë, djalë i vetëm dhe ka një nënë plakë e të stërvuajtur, mbetur jetim që në moshë fare të njomë, gati aq sa e kisha lënë djalin tim, kur u burgosa. Ai nuk ka më tepër faj se unë, madje, me siguri, edhe më pak. Atëherë?!

Rustemi më futi në birucë, pasi mora teshat e fjetjes. Ndodhesha para derës së birucës, në korridorin e ndyrë, që ishte shesh i lirë, ku lëvrinin minjtë e nevojtores fqinje. Dhe pas kësaj, mbylli derën dhe u largua me atë hapin e vet monoton, duke tërhequr këmbët në çimento. Ato çaste ndjeva një shtrëngim në gjoks. Përse nuk ndaloi para derës së Pjetrit, ta hapte edhe atë e ta merrte si unë? Mos vallë sonte do ta marrin ata të skuadrës së pushkatimit, për ta vrarë? O Zot, o Zot, o Zot!

Dhe dëshpërimi e dhembja për të, ma pushtuan shpirtin. Dhe kjo dhembje, e fshiu fare gëzimin e faljes së jetës për mua. Gjersa Rustemi sillej aty rrotull dhe nuk ishte larguar, fqinji im nuk ishte ndierë, por, sapo dëgjoi largimin e Rustemit, nisi të trokasë në mur, siç bënim zakonisht gjatë gjithë atyre ditëve të gjata e të pambarim, kur ishim të lidhur me hekura. Por ai trokiste dhe, këtë radhë, unë nuk iu përgjigja. Ç’t’i thosha? A kishte përgjigje më të vështirë në botë, se ajo e imja?! A mund t’i thosha se unë këtë radhë, u kisha shpëtuar thonjve të vdekjes, kurse ai jo? A mund t’ia shqiptoja një përgjigje të tillë?!

Pavarësisht se prej tij, gjatë hetuesisë dhe gjyqit, më kishte mbetur mjaft hatri, edhe sikur armik ta kisha, nuk do të ndieja kurrë, jo kënaqësi, por as indiferencë në një rast të tillë.  Duhej të isha shumë mizor, një qen bir qeni i vërtetë, po të provoja të tilla ndjenja e, po të mbaja të tillë qëndrim meskine, kur tjetri pranë meje do të nisej, aq i ri, në moshën më të mirë të jetës, drejt një vdekjeje sa mizore, aq edhe të padrejtë!

Pjetri vazhdonte, me këmbëngulje, të trokiste në mur. Dhe unë nuk përgjigjesha fare. Çfarë halli! Por, në një shenjë kohe, dëgjova në korridor disa hapa që po afroheshin. I njoha menjëherë. Ishte Rustemi që po vinte drejt nesh. Oh, sa mirë! Por hapat ishin të ngadalshëm, sikur mezi i tërhiqte këmbët, si me përtesë, me nge. Dhe unë nisa të nervozohesha, pastaj shava:

“Po hajde më shpejt, more mut, luaji këmbët”! Por në ato çaste, një mendim i keq më shkrepi në kokë: “Po sikur kapter Rustemi, të mos vinte fare te Pjetri, por të thërriste ndonjë të pandehur tjetër, për në hetuesi?” O Zot, çfarë tmerri! Duket se edhe Pjetri i kishte dëgjuar hapat, ndaj e kishte lënë trokitjen. Me siguri kish mbështetur veshin te dera dhe po përgjonte. Por kjo pritje plot, ankth më në fund, kaloi se Rustemi u afrua dhe ndaloi para derës fqinje me timen. Ishte biruca nr.9, dhoma e vdekjes e Pjetrit. Ai hapi derën. Pastaj thirri. Dhe unë dëgjova, duke e patur unë këtë radhë veshin ngjitur pas derës, hapat e tyre tek largoheshin drejt korridorit të gjatë.

Një shtendosje e madhe ma pushtoi gjithë shpirtin, sikur në atë çast dikush më kishte shkarkuar nga shpina, ndonjë barrë të rëndë. U shtriva në dyshek, fërkova duart nga kënaqësia e nga gëzimi dhe nisa të mendoja se sa të tmerrshme do ta kisha pasur, sikur të mos e kishin thirrur edhe Pjetrin, po për të njëjtën punë, si bënë me mua. Vallë, si do të kisha mundur ta përballoja atë natë, ose një nga netët e tjera që kishim përpara, kur, në ndonjërën prej tyre, atë fatalen, shokun tim, do të vinin ta merrnin xhelatët, për ta masakruar? Se, me siguri, unë do ta kisha dëgjuar një ngjarje të tillë. Na ishte bërë zakon tashmë, të vigjilonim gjithë natën e gjatë, pa gjumë në sy.

Por edhe pritja ime, sikur po zgjaste pak si shumë. Pse?! Dhe këtu nisi të ma brejë shpirtin mendimi i keq: po sikur Pjetrin, të mos e kenë thirrur për t’i njoftuar, sikurse mua, faljen e jetës, por për ndonjë punë tjetër, emrin e së cilës nuk e gjeja dot me mend? Nuk besoj të kem kaluar një interval tjetër kohe, kaq të ankthshëm, si ai që kalova atëherë. Edhe një minutë, më dukej një orë! Kur, më në fund, (nuk di të them sa kohë kishte kaluar), dëgjova përsëri tashmë hapat që po afroheshin.

Hej shyqyr! Dhe vazhdova të rrija në përgjim. Gati- gati më vriste ndërgjegjja, që nuk u isha përgjigjur më parë trokitjeve të tij. Po, ç’ti thosha? Që mua më kishin falur jetën? Po ai?… A kishte çaste më delikate, më të vështira, më të pamundura për t’u duruar? Më në fund, ata arritën te dera e birucës nr.9. Dhe, si në rastin tim, u krye i njëjti veprim. Dhe, kur ajo derë u mbyll me shokun tim brenda saj e, Rustemi u largua, atëherë (gati në të njëjtin çast, por tashmë me duar pa hekura), nisem t’i biem murit ndarës, nga të dyja anët e tij. Jo më me çokun e gishtave, por me dy pëllëmbët: pllam, pllam, pllam, me sa fuqi që kishim.

Ishte himni ynë i fitores, i kthimit në jetë, ishte shpresa e së ardhmes, fitorja e jetës mbi vdekjen. Shumëkush mund të ketë lexuar librin e shkrimtarit të madh rus, Dostojevski, kur përshkruan burgun e tij, veçanërisht kur xhelatët e hipën në stolin e varjes, me litarin në grykë dhe, në atë gjendje, i falën jetën. Diktatorët i bëjnë nganjëherë “lojëra” të tilla fatale. Neve, falë Zotit, diktatori komunist shqiptar, na e kurseu një torturë të tillë. A duhet t’i jemi mirënjohës për këtë?/ Memorie.al

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?