Tela me gjemba, qen dhe patrulla/Nis gjuetia për migrantët përgjatë rrugës Ballkanike. Erdogan: Ky është vetëm fillimi (VIDEO)

3 Mars 2020, 10:01| Përditesimi: 3 Mars 2020, 14:50

  • Share

Gjuetia e refugjatëve që po dynden nga Turqia për të mbërritur në vendet e BE përgjatë rrugëve ballkanike, ka përfshirë burime kapitale dhe njerëzore. Kufijtë e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut patrullohen nga mjete dhe policë të pajisur me kamera termike me rreze të gjatë, të cilat ofrojnë fusha zbulimi deri në disa kilometra larg.  

Misionet e kontrollit kufitar po mbështeten edhe nga forcat hungareze të sigurisë, të angazhuara të ndalojë hyrjet e paligjshme në BE. Dy gardhe paralele me tela, të pajisura me sensorë që japin goditje elektrike, shtrihen përgjatë 175 kilometrave midis Serbisë dhe Hungarisë. Edhe Austria gjithashtu ka njoftuar dërgimin e oficerëve të policisë në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë, të cilët kryesisht do të kontrollojnë trafikun hekurudhor.

Qëkurse Ankaraja i hoqi ‘tapën’ krizës humanitare në rajonin verilindor të Sirisë, në grupe të mëdha e të vogla, mijëra emigrantë nga Turqia prej ditësh po tentojnë të hyjnë në kufijtë e BE, duke përdorur tokën greke.

Edhe pse policia helenike ka përdorur gaz lotsjellës për të kthyer mbrapsht të shpërngulurit dhe i ka bërë ballë rreth 15 mijë prej tyre, vetëm dje në mëngjes më shumë se 18 mijë emigrantë kanë kaluar kufirin dhe po shkojnë në shtigje të rrezikshme drejt kufirit bullgar.

Zëdhënësi i presidencës turke, tha sot se deri tani 80.888 refugjatë sirianë kanë kaluar kufirin e BE-së kurse Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, foli për 76.358 migrantë që kishin kaluar tashmë kufirin përmes krahinës së Edirnes.

Athina ka vendosur të pezullojë pranimin e kërkesave për azil për një periudhë 1 muajore teksa Rexhep Tajip Erdogan duket se është ‘deus ex machina’ e vërtetë e kësaj krize të re.

Presidenti turk njoftoi më 27 shkurt hapjen e kufirit për migrantët në tentativë për t’i bë presion Europës e cila sipas Ankarasë zyrtare nuk po bën asgjë në zgjidhjen e krizës siriane.

Turqia në fakt është e angazhuar ushtarakisht në rajonin sirian të Idlib, ku para pak ditësh forcat e regjimit të Asad vranë rreth 35 ushtarë turq. Në shenjë hakmarrje dje forcat turke kryen një tjetër sulm ajror ku gjetën vdekjen 19 ushtarë sirianë.

Ankaraja deri tani ka mbajtur të bllokuar rreth tre milion refugjatë, të cilët janë të gatshëm për të marrë rrugën drejt Turqisë me destinacion final Europën.

Pas krizës së fluksit të migracionit të vitit 2015, Europa dhe Turqia bën një marrëveshje që parashikonte mbylljen e kufijve turq në këmbim të 6 miliardë eurove që do t'i paguheshin Ankarasë deri në vitin 2019. Por situate e re rrezikon ta fuse kontinentin e vjetër në një krizë të re emigracioni.

Athina ka forcuar kontrollet në kufijë tokësorë dhe detarë por Turqia ndan një kufi tokësor prej 120 kilometrash me Greqinë, gjë që e bën pothuajse të pamundur ndalimin e vërshimit të disa mijëra emigrantëve.

Dje Ankara ka akuzuar rojen bregdetare greke se ka qëlluar me armë dhe shkopinj në përpjekje për të fundosur një gomone me emigrantë e cila ishte nisur nga brigjet turke të Bodrum, me destinacion kontinentin europian.

Sipas burimeve në presidencën e Ankarasë, rojet greke kanë qëlluar edhe disa të shtëna paralajmëruese dhe kanë goditur shkopinj gomonen dhe refugjatët, të cilët më pas, sipas Ankarasë qyrtare, u shpëtuan nga Rojet Bregdetare Turke.

Në lidhje me frontin e konfliktit në Siri, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar se ky është "vetëm fillimi" dhe se Turqia ende nuk ka treguar forcën e saj të vërtetë.

Sipas tij, regjimi i Asad që nga fillimi i luftës ka humbur 2.550 trupa ushtarake si dhe qindra tanke, topa dhe sisteme raketash.

Përveç kërcënimit për Damaskun, Erdogan u bëri thirrje Moskës dhe Teheranit, të cilët mbështesin presidentin sirian Bashar al Asad, duke përsëritur se Ankaraja po lufton për të zgjidhur krizën humanitare të shkaktuar nga miliona njerëz që hyjnë në Turqi nga Siria.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?