Telefonata e gjashtë Trump-Putin që nga fillimi i vitit nuk zhbllokon negociatat për Ukrainën, por konfirmon synimin e Uashingtonit për të shfrytëzuar momentin diplomatik të krijuar nga armëpushimi Izrael-Iran për të tentuar të depërtojë në rezistencat e Kremlinit. Lidhja mes Lindjes së Mesme dhe Ukrainës buron nga fakti se Putini ndihmoi ndërmjetësimin e Trump-it, duke shtyrë aleatin e Teheranit të ndalojë armiqësitë pavarësisht goditjeve të rënda të pësuara. Dhe kur në bisedën e djeshme, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Putin theksoi nevojën për një “zgjidhje politike” mbi “Lindjen e Mesme dhe Iranin” duke diskutuar për këtë skenar “në mënyrë të detajuar”, nënkuptohet se Moska po kontribuon gjithashtu në përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë për të arritur një marrëveshje në Gaza mes Hamasit dhe Izraelit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
Kjo do të thotë se misioni i bombarduesve amerikanë B-2 ndaj impianteve bërthamore iraniane ka qenë momenti i nisjes së një ristrukturimi të mundshëm të Lindjes së Mesme, ku regjisor është Trump, por rreth tryezës, përveç izraelitit Benjamin Netanyahu dhe saudianit Mohammed bin Salman, është edhe Vladimir Putin.
Për Shtëpinë e Bardhë, kjo nënkupton se rikuperimi i Putinit është i mundur me qëllim izolimin e rivalit të vërtetë global: Kina e Xi Jinping. Edhe marrëveshja mbi taksat me Vietnamin që Trump është gati të nënshkruajë shkon në këtë drejtim, sepse penalizon – me një tarifë 40 për qind – sidomos eksportet e Hanoit me mallra që vijnë "nga vende të tjera", pra nga Pekini.
Në këtë ofensivë të Uashingtonit, pengesa më e vështirë mbetet Ukraina. Lëvizja surprizë e Trump për të pezulluar furnizimin me armë kundërajrore për Kievin zbulon përpjekjen e dukshme për të rihapur negociatat me Putinin. Pikërisht si në një tavolinë pokeri, Trump kërkon të joshë kundërshtarin, ta shtyjë të rishqyrtojë “jo"-të e tij. Dhe e bën këtë pa u shqetësuar për Ukrainën dhe aleatët evropianë, sepse e konsideron përballjen me Putinin si një garë me dy kuaj.
Por udhëheqësi i Kremlinit, edhe një herë, duket se hedh poshtë hapjet e presidentit amerikan. "Rusia nuk do të heqë dorë nga objektivat e saj në Ukrainë", deklaron Putini, duke theksuar vullnetin e vazhdueshëm për "të hequr shkaqet rrënjësore të konfliktit" që nisi me agresionin ndaj Kievit në shkurt 2022.
Është e njëjta gjuhë me të cilën Putini refuzoi në prill “planin e paqes” të propozuar nga nënkryetari amerikan, J.D. Vance, që i lejonte Moskës të mbante të gjitha territoret ukrainase të pushtuara dhe gjithashtu të aneksonte de facto Krimenë. Kjo
"jo", e përsëritur dje për Trump-in, buron nga dëshira për t’i shtuar pushtimit të territoreve të huaja edhe “çmilitarizimin” dhe “neutralizimin” e Ukrainës – sipas gjuhës së zëdhënësve të Kremlinit – duke e shndërruar Kievin në një vasal, të ngjashëm me Bjellorusinë.
Pra, Putini e sheh bashkëpunimin me Trump-in mbi Iranin dhe Gazën në një mënyrë krejt ndryshe nga Uashingtoni: jo si fillimin e një konvergjence globale në funksion anti-Kinë, por si lëshime të veçuara për të marrë nga Trump mbështetjen për nënshtrimin e Ukrainës.
Kështu vjen komenti i Volodymyr Zelensky: "Putin dhe Trump janë njerëz të ndryshëm, nuk e di nëse mund të kenë shumë ide të përbashkëta". Dhe propozimi për Putinin dhe Trump-in për "një samit mes liderëve" për të vënë kundërshtarin në qoshe. Për këtë do të flasë Zelensky me presidentin amerikan në orët në vijim.
Por për momentin ngërçi mbetet. Me Putinin që mban fort kartën e ofensivës së verës: 50 mijë ushtarë përpara Sumy-t dhe 30 mijë koreano-veriorë që po vijnë nga Pheniani, tregojnë se nuk ka hequr dorë nga arritja e fitores në fushëbetejë. Duke na bërë të kuptojmë më mirë pse Finlanda, Polonia dhe vendet baltike kanë dalë nga Traktati i Otavës dhe po shqyrtojnë mundësinë për të vendosur mina kundër-njerëzore përgjatë kufirit me Moskën./La Repubblica
Komente
