Donald Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Pas telefonatës 90-minutëshe me Trump, Putin pezullon sulmet ndaj objektivave energjetike të Ukrainës për 30 ditë, por kërkon të ndalojë furnizimi me armë i Kievit

18 Mars, 15:46| Përditesimi: 18 Mars, 22:05

  • Share

Siç ishte paralajmëruar, presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike, e cila zgjati të paktën 1 orë e 30 minuta, me fokus luftën në Ukrainë.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin ka rënë dakord të pezullojë sulmet ndaj objektivave energjetike të Ukrainës për një periudhë 30-ditore, por ka kërkuar ndalimin e furnizimit me armë të Kievit nga Perëndimi.

Gjithashtu sipas Moskës, është arritur dakordësia për një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën (nga 175 secili vend) si pjesë e përpjekjeve për uljen e tensioneve.

Edhe Shtëpia e Bardhë sqaroi përmes një deklarate se çfarë u diskutua në telefonatën mes Trump dhe Putin. 

"Liderët ranë dakord se hapi i parë drejt paqes do të jetë një armëpushim në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, si dhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe një paqe të përhershme. Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme",- thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

"Nën udhëheqjen e presidentit Putin dhe presidentit Trump, sot bota është bërë një vend shumë më i sigurt. Historike!"

Kështu u shpreh Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i Vladimir Putinit për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet ndërkombëtare, pak pas përfundimit të telefonatës mes presidentit rus dhe atij amerikan.

Ora 22:01
Telefonata mes Trump dhe Putin, Zelensky: Dakord për ndalimin e sulmeve mbi infrastrukturën energjitike, por duhen detaje nga SHBA

1741104501_volodymyrzelensky.jpg

Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina është e gatshme të pranojë armëpushimin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, i cili është miratuar edhe nga Rusia.

Megjithatë, ai theksoi se para se të japë një përgjigje përfundimtare, Ukraina ka nevojë për më shumë "detaje" nga Uashingtoni.

“Pasi të marrim detajet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe nga SHBA-të, do të japim përgjigjen tonë”, u shpreh ai për gazetarët.

Zelensky shtoi se SHBA duhet të jetë “garante” e marrëveshjes dhe se Ukraina do ta respektojë atë, për sa kohë që edhe Rusia e zbaton.

Ora 20:24
Biseda telefonike me Putin, reagon Trump: Puna për arritjen e paqes në Ukrainë po ecën përpara

1741720733_201145676892029684ee84c46813.jpg

Donald Trump

Përmes një postimi në rrjetin "Truth Social" presidenti Donald Trump ka reaguar lidhur me bisedën telefonike që pati me presidentin Vladimir Putin.

Postimi i Donald Trump:

Sot pata një bisedë shumë të mirë dhe produktive me Presidentin Putin të Rusisë.

Ne ramë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, me mirëkuptimin se do të punojmë shpejt për të arritur një armëpushim të plotë dhe, në fund, një FUND për këtë luftë të tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo luftë nuk do të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha president!

U diskutuan shumë elemente të një Marrëveshjeje për Paqe, përfshirë faktin se mijëra ushtarë po humbin jetën, dhe si Presidenti Putin ashtu edhe Presidenti Zelenskyy duan që kjo të marrë fund.

Ky proces tani është në fuqi dhe po ecën përpara, dhe shpresojmë, për hir të njerëzimit, ta çojmë deri në fund!

Ora 19:02
Deklarata e plotë e Shtëpisë së Bardhë pas telefonatës mes Donald Trump dhe Vladimir Putin

1742287472_shtepiaebardhe.jpg

Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë sqaroi përmes një deklarate se çfarë u diskutua në telefonatën mes presidentit Donald Trump dhe presidentit Vladimir Putin.

Deklarata e plotë e Shtëpisë së Bardhë:

Sot, Presidenti Trump dhe Presidenti Putin biseduan për nevojën e paqes dhe një armëpushimi në luftën në Ukrainë. Të dy liderët ranë dakord se ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme.

Ata theksuan gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sipas tyre, gjakderdhja dhe shpenzimet e mëdha nga Ukraina dhe Rusia në këtë luftë do të ishin më mirë të përdoreshin për nevojat e popullit të tyre.

Ky konflikt nuk duhej të kishte nisur kurrë dhe duhej të ishte përfunduar prej kohësh përmes përpjekjeve të sinqerta dhe me vullnet të mirë për paqe.

Liderët ranë dakord se hapi i parë drejt paqes do të jetë një armëpushim në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, si dhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe një paqe të përhershme. Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme.

Të dy liderët diskutuan gjerësisht për Lindjen e Mesme si një rajon me potencial për bashkëpunim në parandalimin e konflikteve të ardhshme.

Gjithashtu, ata theksuan nevojën për ndalimin e përhapjes së armëve strategjike dhe do të angazhohen me vende të tjera për të siguruar zbatimin më të gjerë të mundshëm të kësaj mase.

Të dy liderët ndanë mendimin se Irani nuk duhet të jetë kurrë në një pozicion për të shkatërruar Izraelin.

Në fund, Trump dhe Putin ranë dakord se një e ardhme me marrëdhënie të përmirësuara mes SHBA-së dhe Rusisë sjell përfitime të mëdha. Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik pasi të arrihet paqja.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • ISH USHTARAK.I SHQIPËRIS: 18/03/2025 19:57

    HAJDE BISEDIME HAJDE, BËHEN BISEDIME, POR TË TJERË NGA TË TJERË(NGA DY SHTETE)QË NË FUND TË FUNDIT JAN NJË MË MË SHUMË E NJË MË PAK SHKAKTAR TË KËTYRE LUFTËRAVE NË MBARË GLOBIN.PUTIN E TRAMP QËNDRONI NË SHTËPIT TUAJA SE SA HERË KENI DALË TË LAGUR NGA SHUMË SHTETE DUKE FILLUAR NFA INDO-KINA,AFGANISTANI E KUDO.LËRINI POPUJT TË VENDOSIN PËR FATET E TYRE DHE MOS I FUSNI THIKËN PAS SHPINE SI KUDO DHE NË VEÇANTI POP. PALESTINEZ E MË PAS POP.UKRAINAS.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?