Telefonia celulare në Shqipëri midis Shilës (Shtetit) dhe Karibdës (Konsumatorit & Teknologjisë)

9 Qershor 2022, 14:11| Përditesimi: 9 Qershor 2022, 14:15

  • Share

*Elvin Meka, Prof.Asoc.Dr.

Sfidat e industrisë dhe tregut të telekomunikacioneve
Tregu i telekomunikacioneve, sikundër dhe shumë tregje të tjera, të lidhura me teknologjinë dhe të ndikuara prej saj, ka kaluar nëpër disa faza transformimesh revolucionare, gjatë këtyre 30 viteve të fundit, duke i shndërruar shoqëritë e telekomunikacioneve në aktorë dhe faktorë kyç të botës së sotme digjitale, të ndërlidhur masivisht në rang global. Faktikisht, kjo industri është përballur përgjatë këtyre 3 dekadave me mjaft sfida, ku padyshim zhvillimet “shkatërruese” (disruptive) teknologjike kanë rimodeluar fuqishëm jo vetëm qasjen në treg, por dhe modelin e biznesit.

Fillimisht, sfida e parë madhore lidhej me fokusin te Teknologjia e Komunikimit (CT), e cila përbënte dhe valën e parë të epokës së informacionit. Sfida e dytë lidhej me “epokën” e internetit, e që filloi afërsisht rreth vitit 2000, ku industria u riorganizua përreth zgjidhjeve horizontale. Kjo ishte dhe periudha e zhvillimit të tregtisë elektronik (e-commerce) dhe lindjes së portaleve. Pas vitit 2006, filloi të formësohej dhe merrte jetë cloud-i  dhe kjo përbën dhe sfidën, apo fazën e tretë të transformimit madhor në industrinë e telekomunikacionit, e cila vijon edhe sot. Mbi këtë transformim, po përvijohen dhe përballjet me mundësitë dhe sfidat e reja, edhe më transformuese sesa këto të mësipërmet, e që lidhen me teknologjitë e reja si: Internet of Things (IoT), Augmented Reality (AR), Virtual Reality (VR), të cilat po kërkojnë nga industria e telekomunikacioneve që të riorganizojnë strategjitë e tyre të biznesit dhe të përjetojnë një ristrukturim total në terma të operacioneve, arkitekturës dhe rrjeteve.

Tregu shqiptar i telekomunikacioneve celulare – zhvillime dhe problematika

Tregu i telekomunikacioneve celulare në Shqipëri u zhvillua dhe mori hov, pak a shumë në të njëjtën kohë si në Evropën Perëndimore, duke qenë shumë pranë zhvillimeve bashkëkohore ndërkombëtare në këtë fushë. E filluar si një sipërmarrje shtetërore, shumë shpejt e në pak vite tregu do të hapej edhe për sipërmarrjen private, fillimisht me privatizimin e operatorit shtetëror, e më pas me hyrjen e një marke të fuqishme ndërkombëtare, si: Vodafone, në 3 gusht 2001.

Zhvillimet e vrullshme dhe komplekse të këtyre 20 viteve të fundit, jo vetëm në ekonominë dhe tregun ndërkombëtar, por dhe në atë shqiptar, kanë demonstruar realitete dhe filozofi të ndryshme menaxhimi dhe biznesi, për shoqëritë shqiptare të telekomunikacioneve, kryesisht atyre celulare. Kështu, ndërsa tregu në kulmin e tij të zhvillimit njohu praninë e 4 operatorëve (një situatë kjo e veçantë dhe e pazakontë për madhësinë modeste të tregut shqiptar dhe pasojat në nivelin optimal të zhvillimit të këtij biznesi), realiteti ekonomik dhe konkurrenca e fortë rezultoi në daljen nga tregu të operatorit më të vogël dhe vijimin e biznesit (fitimprurës) të operatorëve të mëdhenj, ku padyshim VODAFONE mbetet ende operatori më i madh në treg, siç ka qenë për shumicën dërrmuese të kohës, me mbi 51% te tregut.

Telefonia celulare, saturimi i shpejtë i kapaciteteve konsumatorë dhe rritjes ekstensive
Në rrjedhën e viteve, nisur nga ekzigjencat dhe kërkesa “eksplozive” për shërbime të telefonisë celulare, zhvillimit ekstensiv të tregut dhe vet stadi i zhvillimit të pajisjeve telefonike lejoi që për nj periudhë të caktuar kohe, ose gjatë “viteve të arta”, shoqëritë e telefonisë celulare të gëzonin rritje eksponenciale, si të xhiros ashtu dhe të fitimeve, duke siguruar njëkohësisht edhe një ritëm të lartë të investimeve në infrastrukturën e nevojshme të rrjetit. Saturimi i kapaciteteve të tregut, për sa i përket klientelës, konkurrenca tejet e fortë, kërkesat konsumatore për komunikim të dhënash dhe investimet respektive në përgjigje të teknologjive të reja, shënuan një tkurrje të dukshme të rritjes së xhiros së biznesit dhe natyrshëm dhe të marzheve të fitimit. Teknikisht ky është një model, apo rrugë e përshkuar pak a shumë nga thuajse të gjithë shoqëritë celulare, kudo në botë, e sidomos në tregje të vogla si Shqipëria, e cila ka probleme të theksuara me arritjen e ekonomisë së shkallës, e cila justifikon investimet gjigande që kërkohen vazhdimisht në këtë industri, pa kompromentuar marzhet e rritjes dhe të fitimit. Janë pikërisht këto elementë (ekonomia e shkallës dhe investimet) ato që kushtëzojnë praninë e pashmangshme në treg të pak operatorëve të tillë, të cilët janë të detyruar të jenë të mëdhenj dhe shumë të mëdhenj. Nga ana tjetër, vet historiku i zhvillimit të tregjeve globale, por edhe ai i tregut shqiptar tregoi më së miri rolin kyç që luan fuqia e brand-it (markës), e sidomos të atyre të mirënjohura ndërkombëtare, në qëndrueshmërinë dhe fleksibilitetin e modelit të biznesit, sikundër është dhe rasti i Vodafone Albania, pjesë e gjigandit botëror Vodafone, i cili që nga hyrja e tij në treg ka treguar jo vetëm rritje, por dhe një qëndrueshmëri e vijueshmëri pozitive, në dallim nga të gjithë operatorët e tjerë, të cilët kanë përjetuar thuajse të gjithë llojet e veprimeve dhe vendimeve korporative gjatë ciklit të jetës së biznesit (ndërrim pronësie dhe shitje, faliment dhe mbyllje, shkrirje e bashkim, etj.) VODAFONE mbetet i vetmi operator i qëndrueshëm, që nga momenti i krijimit dhe daljes në treg të tij.

Telefonia celulare, çmimet e shërbimit dhe transparenca ndaj konsumatorëve: ca të vërteta të nevojshme.
Në këtë rrugëtim të zhvillimit dhe ecurisë së tregut të telefonisë celulare në vend, sigurisht një çështje e mprehtë ka qene dhe mbetet përherë ÇMIMI i shërbimeve dhe produkteve të ofruara nga operatorët/shoqëritë celulare. Në realitet, shoqëritë e telefonisë celulare mbeten më të stigmatizuarat në publik, për sa i përket nivelit të çmimeve të aplikuara për produktet e tyre.

Në pjesën dërrmuese një debat i tillë, më shumë sesa nga ndonjë praktikë e parregullt biznesi, ka ardhur dhe vjen kryesisht nga mungesa e informacionit, niveli jo optimal i transparencës ndaj publikut, apo komunikimi opak dhe tepër teknik nga ana e vet operatorëve celularë, Fakti është që pak ose aspak informacion ka në treg, apo në publik rreth mënyrës dhe modelit të ndërtimit të çmimeve finale, për produktet dhe shërbimet e këtyre shoqërive, e në këtë kuadër, në asnjë kanal komunikimi, media apo portal dhe faqe interneti, nuk jepen shpjegime të thjeshta e të kuptueshme lehtësisht, e që lidhen me elementët që formësojnë çmimin përfundimtar të këtyre shërbimeve. Nga ana tjetër, nuk përbën habi që pakkush e konsideron shërbimin telefonik celular si një shërbim të mirëfilltë utilitar jetësor e thelbësor për publikun e gjera, pak a shumë i ngjashëm me furnizimin me energji elektrike, ujë, pastrimin e mjediseve publike, etj. Praktikisht, të gjithë e marrim të mirëqenë ofrimin e shërbimit telefonik celular. Madje me teknologjitë e fjalës së fundit, pa arsyetuar pak me thellësi se çfarë qëndron dhe duhet të qëndrojë në prapaskenë, me qëllim që konsumatori të përjetojë një eksperiencë optimale dhe të përmbushë nevojat e kohës në këtë drejtim.

Pa bërë apologji të politikave të çmimeve dhe pa qenë ekspert shitjesh dhe strategjist biznesi për një treg të tillë, mendoj se, përtej diskutimeve emocionale dhe anekdotike, është e nevojshme të shpjegohen thjesht disa elementë e faktorë, që kanë ndikuar e po ndikojnë dukshëm në ecurinë dhe nivelin e çmimeve të këtyre produkteve, në vite dhe aktualisht.

Faktorët ekonomikë
Pas krizës globale ekonomike e financiare të vitit 2008-2009, inflacioni nuk ishte shqetësimi kryesor as në botë e as në Shqipëri, por kjo nuk nënkupton që ai ka qenë zero. Sipas INSTAT, indeksi mesatar i çmimeve të konsumit, për periudhën 2008-2021 është rreth +24%. Me fjalë të tjera, fuqia blerëse e monedhës shqiptare ka rënë me 24%, ose thënë ndryshe çmimet e mallrave janë rritur mesatarisht me 24%. Krahasuar me produktet dhe shërbimet e tjera, çmimet e të cilave kanë përjetuar rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme gjatë gjithë kësaj periudhe, sidomos gjatë 12 muajve të fundit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me çmimet e produkteve dhe shërbimeve të telefonisë celulare, ecuria e të cilave nuk ka ndjekur rritjen e përgjithshme të çmimeve në ekonomi, por është luhatur poshtë këtyre vlerave të inflacionit.

Në kontekstin aktual, dalja nga periudha e vështirë e pandemisë COVID-19 u shoqërua me problematika jo të1 vogla në drejtim të çorientimit dhe çrregullimeve serioze në zinxhirët e furnizimit, ku për këtë treg vlerësohen me një reduktim furnizimesh prej rreth 40%. Kjo problematikë furnizimesh dhe së fundi edhe lufta në Ukrainë, nga ana tjetër, po ndikojnë thelbësisht në çmimet përfundimtare të produkteve dhe shërbimeve të këtij sektori.

Futja e shërbimeve dhe teknologjive të reja
Faktori “teknonlogji” mbetet ndoshta në “shkatërruesi” dhe kompromentuesi i modelit të biznesit dhe “hollimit” të marzheve të fitimit në këtë treg dhe industri. Revolucioni i Katërt Industrial, i ndërtuar mbi të Tretin, ose revolucioni digjital karakterizohet nga një fuzion i teknologjive të ndryshme, që po zhduk praktikisht kufijtë midis sferës fizike, digjitale dhe asaj biologjike. Në këtë transformim marramendës, ajo që “harrohet” është fakti se të gjithë këto teknologji, që të mund të bëhen të përdorshme dhe të aksesueshme nga publiku i gjerë disamiliardësh në planet, por edhe nga një popullsi modeste si ajo shqiptare në Shqipëri, kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme dhe të pazëvendësueshme investime “gargantuane”, shumë pak të krahasueshme me ato të industrive të tjera. Investime të tilla janë “të detyrueshme”, pasi nevojiten për të mbajtur rrjetin funksional në 24/7 dhe të përputhshëm me këto teknologji të avancuara, për të plotësuar kërkesat gjithnjë në rritje të klientëve për komunikim/zbavitje/argëtim/ndarje eksperiencash, përmes videove, kudo ku ata ndodhen, brenda e jashtë Shqipërisë. Natyrshëm që këto investime gjigande duhen përballuar dhe mbuluar po nga vet operatorët dhe shoqëritë e telefonisë celulare, të cilave u duhet jo vetëm të buxhetojnë shpenzime të tilla kapitale për horizonte kohore relativisht të shkurtra, pasi teknologjia digjitale ecën me shpejtësi të pabesueshme, por dhe të optimizojnë kostot operacionale dhe të prodhojnë fitim për aksionarët!!!

Realiteti i viteve të fundit (të paktën dekadës së fundit) flet vetëm për fitime në rënie për këta operatorë kudo, përfshirë dhe Shqipërinë, e kjo jo për “gabime” dhe “paaftësi” strategjike, por për vështirësi praktike për të përmbushur “detyrimin” publik të investimeve kolosale, për mbajtjen e rrjetit, në kushtet e kufizimeve shumëdimensionale që kushtëzojnë zgjerimin organik dhe afatgjatë të këtij biznesi. Për më tepër, këta operatorë nuk përfitojnë pjesë të “tortës” së fitimeve marramendëse që realizojnë mediat sociale nga reklamat e marketingu, pavarësisht se është pikërisht rrjeti dhe infrastruktura e tyre që mundëson përdorimin e këtyre mediave dhe kushtëzon gjenerimin e këtyre fitimeve.

Kostot rregullatore
Tregu i telekomunikacioneve është sot ndoshta tregu më i rregulluar e madje mund të pohohet se ka një mbirregullim, pak a shumë i ngjashëm me tregun bankar. Në kushte të tilla, barra dhe ngarkesa rregullatore prodhon një kosto jo të vogël e gjithnjë në rritje për biznesin e këtyre operatorëve, kosto kjo që duhet të mbulohet prej të ardhurave që rriten shumë ngadalë. Nga ana tjetër, futja e standardit të teknologjisë 5G kërkon jo vetëm vëllime të mëdha investimesh në infrastrukturë, por dhe mbulim kostosh licencimi, për të cilat në Shqipëri ende nuk ka ndonjë masë stimuluese nga qeveria, për të ecur më shpejt në drejtim të jetësimit të standardit 5G.

Përmbledhtazi, çmimi i produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga operatorët dhe shoqëritë e telefonisë celulare janë një funksion kompleks i shumë shpenzimeve kapitale, operacionale dhe rregullatore, si dhe parametrave të konkurrencës, të cilët në kontekstin e zhvillimeve jofavorizuese ekonomike nëpër të cilat kalon bota dhe vet ekonomia shqiptare ushtrojnë një trysni jo të vogël mbi politikën e çmimeve dhe hapësirat e ngushta të manovrimit me mbajtjen e çmimeve në nivele të njëjta për një kohë të gjatë. Sikundër çdo produkt apo shërbim, i cili i nënshtrohet trysnisë së inflacionit, e ku kostot e rritura në të gjithë zinxhirin e vlerës është e pamundur të absorbohen vetëm nga biznesi, ato pashmangshmërisht i transferohen konsumatorit final; operatorët celularë nuk mund të jenë rast përjashtimor, pavarësisht se deri më sot kanë qenë të detyruar të përballojnë vet një pjesë të mirë të këtyre kostove të rritura, që vijnë nga të gjithë drejtimet.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?