Mjafton një foto personale në rrjetet sociale që shumë vajzave, krejt të rastësishme, t’i qaset rreziku për të përfunduar në grupe abuzuese në aplikacionin “Telegram”, nga ku për të hequr imazhin e tyre, duhet të paguajnë para tek personat që fshihen pas tyre.
Grupi i parë i “ferrit” me mbi 72 mijë anëtarë që bëhen pjesë përmes numrit të telefonit, “Albkings”, u mbyll me ndërhyrjen e autoriteteve të Kosovës ku u arrestuan 2 të rinj të cilët e administronin.
Por në lojë, kanë dalë të tjera grupe, siç është “Shqipet87 Meme”, me mbi 7500 anëtarë, në të cilin Report Tv ka arritur të depërtojë. Anëtarët, të cilët në disa raste janë me emër dhe mbiemër, e më shpesh me pseudonime, postojnë foto intime të vajzave duke i shfaqur edhe numrat e telefonit apo profilet e tyre në rrjetet sociale.
“kur*ë në Tiranë çuna, merreni në telefon”.
“Ja dhe TikTok-u i kur*ës”.
Qëllimi në dukje, është për të denigruar figurën e tyre, duke i ofruar si objekte seksi për djemtë e pranishëm në grup. Por përfitimi, është që vajzat te prekura, t’i kontaktojnë, dhe të japin para në mënyrë që administratorët të heqin postimet me imazhet kundër tyre.
Pjesëtarët e grupit parashtrojnë kërkesa për vajza shqiptare apo të huaja, dhe administratorët apo edhe meshkuj të tjerë të cilët kanë akses të hapur për të shkruar, hedhin foto pa censurim.
Ndërkohë, të tjerë djem vendosin baste dhe hapin sfida se kush do të kryejë i pari marrëdhënie seksuale me vajza të cilat u postojnë adresat e profileve të instagramit apo rrjeteve të tjera sociale.
Report Tv kontaktoi një nga vajzat e cila është denigruar në këtë grup. Shantazhuesit nuk kishin arritur ende të komunikonin me të, dhe e reja, nënë e një fëmije, u vu në dijeni nga stafi ynë se në grupin e Telegramit “Shqipet87 Meme”, ishte hedhur një imazh i saj dhe faqja personale në TikTok ku mes fotove shfaqet edhe vajza e saj e vogël. Duke ndjerë rrezikun e cenimit të vetes së saj por edhe më keq, të fëmijës, pas bisedës me Report Tv, gruaja ka fshirë nga rrjeti social të gjitha fotot e të voglës së saj.
“Fotot të cilat i kanë postuar, t’i marrin t’i varin në mur po të duan se mua personalisht nuk kanë çfarë të më bëjnë. Kushdo që mundohet të hedhë baltë apo të bëjë lojëra të tilla, ja ktheftë zoti aty ku i dhemb më shumë. Nuk më prekin të tillë njerëz që nuk kanë çfarë të bëjnë e merren dhe bëjnë si gango pas një adrese “fake” apo pas celularit”, thotë e reja për Report Tv.
Vajza, nënë e një fëmije të mitur, sqaron se foto e saj është shkëputur nga një person që e ndjek në rrjete sociale, gjatë një momenti që ajo ka qenë “LIVE” në Tik-Tok, dhe për këtë gjë, do t’i drejtohet policisë, sektorit të krimit kibernetik.
Burime për Report TV nga sektori i Krimit Kibernetik pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës, bëjnë me dije se në këto grupe rrezikohet të vidhen edhe të dhëna personale të kartave të kreditit pasi hidhen edhe linke “peshkuese” që nëse i klikon, mund të biesh pre e hakerimit.
Përpos materialeve pornografike, në grupin “Shqipet87 Meme” kërkesat dhe publikimet janë të ndryshme, të frikshme!
“Kush është i interesuar për para false ose kartë krediti për të tërhequr para në bankomat”?
Në grup, nuk mungojnë as ofertat për baste “të sigurta” sportive, apo dhe diploma të gjuhëve të huaja, kundrejt pagesës.