Televizioni franko-gjerman reportazh për gjeniun e letrave shqipe: Shqipëria sekrete e Kadaresë

22 Shtator 2018, 17:09| Përditesimi: 22 Shtator 2018, 18:03

  • Share

Lugina që ndjekin njëra-tjetrën, qytete mesjetare osmane dhe nën këtë koracë fshihen sekrete të mëdha. Shqipëria është një kryqëzim qytetërimesh dhe fesh, i virgjër dhe i ngrirë. I izoluar nga bota prej regjimit komunist të Enver Hoxhës që sundoi për më shumë se 40 vjet. Në këtë atmosferë ka lindur gjeniu i letërsisë ballkanike, Ismail Kadare. Ky është përshkrimi që televizioni franko-gjerman “Arte”, i bën ambientit përgjatë diktaturës komuniste, që ka rezonuar në veprat e Ismail Kadaren.

Kam ardhur në Tiranë në moshën 17 -vjeçare. Ishte një qytet plot të panjohura dhe mistere dhe ky mister më përshtatej. Nuk kisha frikë prej tij. Madje ndihesha mirë në ato ambiente mes gjërave të pashpjegueshme, mes gjërave të fshehura që nuk kisha të drejtë të dija.

Shkrimtari Ismail Kadare

Ismail Kadare do të mbetej një nga kritikët më të ashpër të diktaturës, duke shfaqur fantazmën e një Shqipërie të përjetshme, me një histori mijëvjeçare të pasur, që kërkon të shpartallojë komunizmin. Një identitet që ai e gjen më së miri në qytetin që e rriti. Një qytet i gurtë, i mbështetur pas malit, me shtëpitë gri, Gjirokastra është mbretëria e ëndrrave. Ismail Kadare ka kaluar aty fëmijërinë e tij.

Ismail Kadare ka pasur fatin të lind në këtë qytet të pasur me histori, ngjarje, tragjedi. Ai ka arritur të kapë shpirtin e qytetit.

Shkrimtari Ylljet Aliçkaj

Në vitin 1967 ashtu si në Kinë mbërriti revolucioni kulturor dhe u ndaluan të gjitha format e shprehjes. Diktatura largon intelektualët nga Tirana. Kadare u çua në Berat, një tjetër qytet osman, në këmbë të malit Tomorr. Ndërsa, Kadare zbulon qytetin kishat dhe xhamitë u kthyen në muze. Besimi fetar u ndalua.

Aty lindi “Ura me tri harqe”. Ishte shumë e guximshme për kohën të bënte personazh kryesor një prift katolik. Kleri katolik pësoi persekutimin më të egër në atë kohë. Ne na sollën si ushtarë të socializmit dhe u bëmë dëshmitarë të vuajtjes së një populli. Ne zgjodhëm të ishim në anën e popullit.

Shkrimtari Sadik Bejko

Në një errësirë të thellë, duhej mbajtur një dritë ndezur, mbajtur gjallë me shpirtrat tanë. Edhe pas 30 vjetësh nga rënia e diktaturës, Ismail Kadare vazhdon të na tregojë një Shqipëri drithëruese, gati irreale.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?