Këshilltari i çështjeve ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti deklaroi sot se, “projektbuxheti 2025 nuk adreson problematikat akute të shoqërisë tonë, të shpopullimit, të varfërisë, të papunësisë, të rinisë dhe fuqisë punëtore që emigron, të sipërmarrjes që falimenton”.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PD, Teliti u shpreh se, qeveria sapo ka sjellë në Kuvendin e Shqipërisë projektbuxhetin e vitit 2025.
“Buxheti i vitit të ardhshëm, njësoj si çdo buxhet i këtyre 11 viteve, mund të përkufizohet si tepsia e llokmave për qeveritarët dhe e thërrimeve për shqiptarët."
Ai u shpreh se, “ndonëse jemi vendi me taksat më të larta në rajon, ndonëse taksimi progresiv i ka marrë frymën shoqërisë, ndonëse të gjitha grupet e interesit kanë kërkuar uljen e taksave e tatimeve dhe thjeshtimin e procedurave të komplikuara, përsëri këto thirrje vazhdojnë të bien në vesh të shurdhët. Qeveria nuk parashikon asnjë reduktim të barrës fiskale, asnjë lehtësim procedurial për ta”.
Përkundrazi, shtoi ai, “93 milionë euro është kostoja shtesë e barrës fiskale për vitin e ardhshëm”.
“2.9% e PBB-së do jetë financimi për shëndetësinë. 2.5% e PBB-së për arsimin. Të harruara mbeten premtimet e Edi Ramës 12 vite më parë, kur premtonte 5% për secilin nga këta dy sektorë”, tha ai.
“Fermerët tanë, që prej 11 vitesh i hedhin në kanale prodhimet, që vuajnë konkurrencën e mallrave të huaja, që paguajnë skemën vrastare të diferencimit të TVSH-së, dmth 20% kosto shtesë, do marrin shpërfillje edhe vitin e ardhshëm”, u shpreh Teliti.
Sipas tij, 62 mijë familje në ndihmë ekonomike nuk marrin asnjë qindarkë.