Temperaturave e larta kanë rritur edhe fluksin e pacientëve në Repartin e Urgjencës në Spitalin Rajonal Berat.
90-100 pacientë paraqiten çdo ditë pranë këtij reparti, kryesisht të moshuar e të sëmurë kronikë. Sipas mjekëve të urgjencës, janë moshat e treta ato që paraqiten në gjendje të rënduar, me gjendje febrile dhe gastroenterite dhe me probleme me tensionin.
Shefi i Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, mjeku Xhezair Guri, ka pohuar se fluksi i vizitave ka ardhur çdo ditë në rritje dhe pjesa më e madhe e pacientëve që paraqiten për të marrë trajtim mjekësor në Repartin e Urgjencës mbërrijnë aty me çrregullime digjestive për shkak të vapës.
"Gjatë kohëve të fundit, me rritjen e temperaturave të larta të ambientit, edhe Reparti i Urgjencës në Spitalin e Beratit ka filluar të ngarkohet, pasi janë shtuar rastet e të sëmurëve, sidomos moshat e treta, të sëmurët me patologji kardiake, diabetikët dhe të sëmurët me azmë. Rastet kanë pasur një trend në rritje nga dita në ditë dhe të sëmurët paraqesin problematika shëndetësore të ndryshme, si bark e të vjella, çregullime të traktit digjestiv. Nga 80-90 vizita që kemi pasur çdo ditë, me këto temperatura të larta kemi pasur një rritje ditore të vizitave dhe shtrimeve me 10% më shumë”, shprehet Guri për Report Tv.
Ai shpjegon se shkaku kryesor janë temperaturat e larta dhe këto kategori duhet të tregohen të kujdesshme, duke qëndruar në ambiente të freskëta dhe konsumuar lëngje. Ai shtoi se ka pasur edhe raste të rënda që janë nisur drejt Tiranës, pas trajtimit dhe ndihmës së parë në Berat.
“E gjithë kjo gjendje, e krijuar kohët e fundit, ka ardhur për shkak të temperaturave të larta, prandaj ne u rekomandojmë moshave të treta dhe të sëmurëve kronikë që të qëndrojnë në ambiente të freskëta, në ambiente me hije dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje. Rastet, sipas diagnozës dhe sipas protokolleve, trajtohen me serume, me antipiretikë, bëjmë edhe analizat dhe nëse është e nevojshme i shtrojmë në spital. Moshat më të prekura janë moshat e treta, të sëmurët kronikë, por ka pasur edhe raste të sëmurësh ndër moshat e reja, ndoshta nga ushqimet e kontaminuara dhe jo të mira. Kemi pasur edhe disa raste të komplikuara, të cilat janë trajtuar fillimisht në spitalin e Beratit dhe për shkak të komplikacioneve i kemi nisur në spitalin e Tiranës", tha mjeku.
Komente
