Foto ilustruese

Kosova & Rajoni

Temperaturat e larta/ Ministria e Shëndetësisë së Kosovës plan masash: Punë nga shtëpia për gratë shtatzëna dhe ata me sëmundje kronike

3 Korrik, 14:50| Përditesimi: 3 Korrik, 15:00

  • Share

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka dalë me një thirrje publike për të gjitha institucionet publike dhe private që të marrin masa mbrojtëse për punëtorët dhe grupet më të ndjeshme të shoqërisë, për shkak të temperaturave të larta që pritet të mbizotërojnë gjatë periudhës 3 - 10 korrik 2025.

Duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Ministria thekson se vala e të nxehtit mund të ketë ndikime serioze në shëndetin e qytetarëve, sidomos tek fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Ndër më të rrezikuarit janë edhe punëtorët që ushtrojnë veprimtari në ambiente të jashtme ose në kushte pune ku temperatura është e lartë.

“Apelojmë tek të gjitha institucionet që të zbatojnë masat e nevojshme për të mbrojtur punëtorët nga pasojat e të nxehtit ekstrem. Kujdesi dhe përgjegjësia në këtë periudhë janë jetike për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.

Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë ndër të tjera shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (10:00 – 17:00), pushime të shpeshta për punëtorët në ambient të freskët, konsum të rregullt të ujit dhe veshje të lehta dhe të hapura në ngjyrë.

Ministria ndër të tjera bën thirrje të zbatohet një orar fleksibil që punëtorët të kenë mundësi të nisin orarin e punës më herët, ose edhe të punojnë nga shtëpia.

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse për të monitoruar situatën dhe për të siguruar që masat të zbatohen me rigorozitet.

Ndryshe, IKSHPK në vazhdimësi ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në ditët e nxehta.

Kontinenti evropian po përjeton temperatura jashtëzakonisht të larta, një fenomen që agjencia e klimës e OKB-së tha se po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë për shkak të “ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”.

Vala e të nxehtit ekstreme ka përfshirë disa shtete, duke çuar temperaturat mbi 40 gradë Celsius dhe duke shkaktuar pasiguri për shëndetin publik dhe mjedisin.

Lista e rekomandimeve:

1.1 Të përshtatin oraret e punës për të punësuarit e tyre dhe sipas mundësive të aplikohet orar fleksibël të punës që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi;

1.2 Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, ose të punojnë nga shtëpia;

1.3 Personat me sëmundje kronike dhe me gjendje shëndetësore të rënduar, të lejohen të punojnë nga shtëpia;

1.4 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;

1.5 Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve të tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend-punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë të ftohtë për punëtorët;

1.6 Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;

1.7 Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e punëve të tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe;

1.8 Institucionet private po ashtu këshillohen që të marrin në konsideratë këto rekomandime nga IKShPK./Monitor

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?