“Vala e të nxehtit afrikan ka ardhur në Shqipëri dhe bashkë me to edhe problemet shëndetësore. Mjekët e familjes bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të shmangin orët e pikut”.
Temperaturat e larta kanë shtuar fluksin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve të zemrës. Mjekja Bruna Toçila, thotë se qytetarët gjatë këtyre ditëve, duhet të shmangin daljet gjatë mesditës dhe të konsumojmë sa më shumë lëngje për tu hidratuar.
“Ju bëj thirrje dhe apel qytetarëve që jenë të kujdeshëm. Mos të ekspozohen nga ora 10 deri në orën 5 të pasdites. Të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Konsumimi i sa më shumë lëngjeve, supërave të freskëta dhe shmangia e përdorimit të fastfudeve. Problemet kryesore është pjesa e dehidrimit dhe problemet kardiake tek të sëmurët kronik dhe mosha e tretë. Kemi pasur dhe raste në rritje të pacientëve që shfaqin goxha probleme kardiake nga rritja e temperaturave”, thotë Toçila.
Teksa tregon shqetësimet me të cilat përballen pacientët, Toçila thotë se më të rriskuarit, janë fëmijët dhe të moshuarit, ndaj për këto kategori duhet bërë më shumë kujdes.
“Më të rriskuarit janë fëmijët dhe mosha e tretë, si dhe të sëmurët kronikë. Kryesisht dhimbje gjoksi, tension i lartë, aritmi dhe dhimbje koke”, përfundon mjekja e familjes.
Sipas meteorologëve, këtë javë termometri do të shënojë deri në 42 gradë celsius në vlerat maksimale.