Spitali i Fierit po përballet me fluks të shtuar pacientësh të intoksikuar nga pickimet e insekteve dhe kafshimet nga gjarpërinjtë e nepërkat. Shtimi i sulmeve nga insektet dhe zvarranikët tha mjeku toksikolog, Lulzim Banushaj favorizohet edhe nga temperaturat e larta.
“Vapa e madhe ka favorizuara problemet toksikologjike, duke filluar nga pickimet nga insektet, kafshimet nga zvarranikët, nepërka dhe gjarpërinjtë shumë helmuese, po ashtu intoksikimet e ndryshme nga alkoolet dhe drogërat. Janë bërë shumë të rënda dhe në gjendje overdoze. Vapa i favorizon. Kemi rreth 8 kafshime nga zvarranikët, 5 nepërka dhe 3 gjarpërinj që kanë përfunduar të hospitalizuar. Kanë shpëtuar, por kanë pasur patjetër nevojë për ndihmë”, tha mjeku toksikolog në spitalin e Fierit, Lulzim Banushaj.
Pacientët janë kryesisht fermerë, ndërsa nuk kanë munguar as rastet e pickimeve nga merimanga e zezë. Të gjitha rastet kanë pasur nevojë për hospitalizim tha mjeku Banushaj.
“Gjithashtu nga pickimet nga merimanga. Kemi pasur disa rasta. Edhe ata me klinikë të shprehur. Temperaturat e larta i favorizojnë gjendjet toksike. Shumica kanë qenë duke punuar në ambientet e tyre të punës. Në ara, nëpër pemë, nëpër shërbimet bujqësore”, tha Banushaj.
Nëse do të ishin përdorur veshjet e përshtatshme, mundësia e pikimeve dhe kafshimeve do të ishte e paktë. Ndaj mjeku toksikolog jep edhe disa këshilla.
“Përdorim i dorezave, çizmeve, kominosheve, është i domosdoshëm. Edhe pickimet e kafshimet favorizohen kur punohet pa mjete mbrojtëse”, tregoi ai.
Shqetësuese janë edhe rastet e shtuara të qytetarëve që kalojnë në overdozë nga alkooli dhe droga, me pasoja fatale.
“Rastet më të rënda i kemi pasur nga overdozat që kanë kaluar deri në humbje jete. Duhet të kenë kujdes të gjithë konsumatorët e pijeve alkoolike, të varurit nga lëndët narkotike. Mosha të reja. Deri në 40 vjeç. Janë përdorues”, përfundoi mjeku.