Dy rastet e kanabisit me THC të lartë të zbuluar vitin e kaluar duket se kanë qenë vetëm parathënia e asaj që po shfaqet si një fenomen në rritje gjatë 2025.
Në këto muaj të parë, u regjistruan të paktën 12 raste, nga të cilat 6 vetëm në ditët e fundit.
Droga, e cila vjen kryesisht nga SHBA-të dhe Tajlanda kap çmim një tepër të lartë krahasuar me kanabisin normal, duke arritur deri në 20 mijë euro për kilogram. Dhe shpjegimi duket se gjendet te efektet që ajo jep te përdoruesi: ndjesi shumë më euforike, ndjeshmëri të lartë në tinguj dhe aroma, dobësim të kujtesës dhe përqendrimit, por dhe pasoja me çrregullime në perceptimin e kohës, ankth, panik e deri në përzierje dhe të vjella. Sa më e lartë THC-ja, aq më të forta dhe ndonjëherë më të rrezikshme janë efektet, sidomos në përdorues të rinj ose persona të ndjeshëm
Shefi i Seksionit të Antidrogës pranë Policisë së Tiranës, Dritan Sula, tregon për Report Tv, dallimin e kësaj lënde nga ajo që kultivohet në zona të ndryshme të Shqipërisë.
“Fabrikohet në kushte laboratorike në SHBA. Nisur nga fakti që kjo lloj lënde ka dhe përbërës që ia rrisin THC-në, këtu në Shqipëri nuk është e mundur të realizohet”, tha Dritan Sula Shef, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Ky lloj kanabis duket se po gjen një treg joshës në Shqipëri.
“Porositë janë nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, përfshirë edhe Tiranën”, shprehet Sula.
Deri tani janë të paktën 16 të arrestuar në total që prej nisjes së fenomenit. Sipas Prokurorisë së Tiranës, u regjistruan 8 raste vetëm në muajin e fundit, në të cilat u kapën 15.2 kg, me vlerë mbi 300 mijë euro, me 12 persona të arrestuar apo shpallur në kërkim. Kanabisi, vjen përmes pakove postare i kamufluar mes dërgesave të ndryshme që shfrytëzojnë jo vetëm rrugët tokësore por edhe ato ajrore.
“Kanë ardhur pako me ushqime dhe lënda narkotike ka qenë e fshehur brenda tyre, edhe raste të tjera me rroba dhe pjesë makinash që porositen nga jashtë”, tha Sula.
Konstatimi i pakove të mundshme me kanabis bëhet përmes një analize risku nga ana e postave. Skanimi i tyre nuk e tregon qartë lëndën narkotike. Kryesisht, dyshimet lindin pas të dhënave të paplota të dërguesit dhe marrësit. Më pas hyjnë në lojë agjentët e Antidrogës.
“Personat që nisin lëndën narkotike nuk i kanë të sakta gjeneralitetet, i nisin me emra të ndryshëm, ose vetëm me një emër. Edhe pritësit në Shqipëri kanë adresa false dhe pa gjeneralitetet e tyre. Para disa kohësh goditëm një rast të tillë trafikimi, ndërkohë 2 ditë më pas na lajmërojnë nga posta që ka ardhur një pako në emër të personit që e kishim arrestuar”, u shpreh Shefi i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.
Identifikimi i dërguesve nga SHBA dhe Tajlanda mbetet i vështirë, pavarësisht kontakteve të vazhdueshme me INTERPOL-in. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që dërguesit të mos jenë vetëm shqiptarë. Në një rast, një pako me kanabis me THC, e cila ishte destinuar të mbërrinte në Londër, gabimisht ka ardhur në Tiranë. Një rast për të cilin, autoritetet po tentojnë bashkëpunim.
Komente
