Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, bën prapaktheu duke anuluar tenderin për rikonstruksionin e një rruge në Llogara. Tenderi u denoncua nga redaksia e VoxNews disa javë më parë, ku nga dokumentet rezultoi se me plot 5 milionë euro do të rikonstruktohej vetëm 1 kilometër rrugë.
Një shifër e frikshme, pasi nuk bëhej fjalë për për ndërtim, por vetëm për arnim. Kriteri ishte i ri për të gjithë inxhinierët, të cilët mbetën të befasuar nga vendimmarrja e Gjylit të ARRSH-së.
“Vizita” në SPAK e disa ditëve më parë e ka bërë të reflektojë, duke vendosur ta anulojë. Madje ka pranuar se bëhet fjalë për gabime në dokumentet e tenderit. Por, për cilën firmë ishte parashikuar të shkonte kjo shumë? Natyrisht, firma e preferuar ishte ajo që ndërtoi tunelin, ajo që po bën Ujësjellësin në Tragjas.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ARRSH ka marrë një vendim për këtë tender ditët e fundit. Në APP është publikuar njoftimi i anulimit, teksa bën fjalë për procedurën me objekt “ndërtim i rrugëve lidhëse ne Tunelin e Llogarisë”, me një fond limit prej 506 milionë lekë, ose 5.1 milionë euro.
“Arsyet e anulimit për shkak se në dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme” thotë ARRSH. Më tej sqaron se titullari i autoritetit kontraktor vendos anulimin, teksa mësohet se vendimi është marrë nga Gentian Gjyli. Po, përse e anuloi? Në dokumente nuk shkruhet asnjë gërmë se përse, por vetëm për gabime në dokumente.
Dokumentet i bëri vetë ARRSH-ja, madje janë sigluar nga vetë Gjyli, i cili duket se bën prapaktheu vetëm pas vizitës në SPAK.
Në datën 29 mars 2025, VoxNews publikoi një investigim me titull “Gjyli i ARRSH-së vendos një kriter të ri; 5.1 milionë euro për rikonstruksionin e vetëm 1 km rruge”.
Në dokumente shkruhej se rruga do të rregullohej vetëm për 10 muaj, teksa bëhet fjalë se me këto para’ do të bëhet vetëm 1 kilometër e 10 metër rrugë. Nuk do të bëhet nga e para, por vetëm sa do të rregullohet.
Në dokumentet shoqëruese thuhej se “segmenti rrugor ‘Rruga lidhëse me Tunelin e Llogarësë (Palasë) fillon pas daljes së tunelit të Llogarasë, rreth 1 km larg, më pas vazhdon në rrugën ekzistuese për një tjetër kilometër. Kryqëzimi ekzistues që bën lidhjen e rrugës së re Palasë-Dhërmi, me aksin e vjetër do konceptohet në formë rreth-rrotullimi. Nga ky rreth-rrotullim deri tek rrethi tashmë i ndërtuar janë edhe 600 metër gjurmë komplet e re” shkruhej në dokumente.
Autoriteti shkruante se investimi ka për qëllim të rehabilitojë gjurmën egzistruese, nga dalja e tunelit të Palasës, deri tek kryqëzimi ekzistues i rrugës së re me rrugën e vjetër. Gjyli shkruante se kërkonte sistemim asfaltimi i rrugës ekzistuese nga dalja e tunelit të Llogarasë deri tek nyja e rrugës së bregut, duke bërë përmirësimet e mundshme. Gjatësia e të gjithë segmentit është 1010 ml, ose 1 kilometër e 10 metra.
“Pra, për një rrugë me gjatësi rreth 1 kilometër, Autoriteti Rrugor do të shpenzojë plot 5.1 milionë euro. Edhe sikur t’a ndërtoje nga e para, sërish nuk do të kishte këtë kosto. Por, kriteret dhe fryrja e kostove sollën këtë vlerë, e cila mund të përdoret rëndom edhe në rehabilitime aksesh të tjera”, denonconte redaksia. /VoxNews/
Komente

Mesa duket duan qe shteti te "hyje" neper kompani...ai qe eshte mbi palet nuk mund te te behet pale...shteti eshte pale vetem me interesin publik
Përgjigju