Tenderat e pandemisë/ SPAK 4 pyetje për doganat, verifikime për kompanitë fituese të materialeve mjekësore

26 Maj 2020, 11:44| Përditesimi: 26 Maj 2020, 15:11

  • Share

TIRANE-Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion vijon hetimet për tenderat e Ministrisë së Mbrojtjes për ushqimet dhe të Shëndetësisë për materialet mjekësore. Pikërisht për tenderat e materialeve mjekësore nga ministria e Shëndetësisë, Report Tv mëson se SPAK po bën disa verifikime.

SPAK u ka dërguar një kërkesë doganave ku kërkon, cfarë materialesh janë zhdoganuar në periudhën e pandemisë? Nga kanë ardhur këto materiale? Me çfarë çmimi janë zhdoganuar? Çfarë sasie është zhdoganuar? SPAK kërkon përgjigje për këto pyetje brenda javës.

Ndërkohë SPAK po kryen verifikime edhe në institucione të tjera përfshirë deklarimet në Tatime nga subjektet fituese të tenderave si dhe kontrollet e bëra në treg nga institucionet e tjera si KLSH apo Autoriteti Konkurrencës.

SPAK nis verifikimet pas denoncimit të PD-së për tenderat sekretë të Ministrisë së Shëndetësisë. Prej datës 9 maj opozita denoncoi se ministrja Manastirliu ka djegur dokumentet e tenderave sekretë dhe po në atë ditë, po sipas PD-së u shpërthyen dyert e zyrave në katin e tenderave, ndërsa Shëndetësia tha se ky pretendim për zjarr imagjinar është i pavërtetë. SPAK kërkoi informacion dhe e mori vetëm pas letrës së dytë drejtuar ministrisë së Shëndetësisë. 

Bëhet fjalë për tenderat me procedurë direkte për të prokuruar materialet që i duheshin shëndetësisë për periudhën e pandemisë nga mesi i muajit mars dhe deri tani. Kujtojmë që e njëjta procedurë është ndjekur me ministrinë e Mbrojtjes për tenderin e ushqimeve, që po hetohet nga prokurori Eneid Nakuçi, i cili ka marrë 6 zyrtarë në pyetje.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?