Operatorët ekonomikë që marrin pjesë në garat me fonde publikë kanë vijuar të kenë rezerva kryesisht për fazën kur institucionet bëjnë vlerësimin e ofertave.
Në të paktën 61 për qind të rasteve ankesat vijnë pikërisht në këtë fazë për Komisionin e Prokurimit Publik referuar raportit vjetor 2022. Fondi limit i të gjitha procedurave të ankimuara llogaritet 20 miliardë lekë apo rreth 174 milionë euro.
“Nga 6,494 procedura unike të publikuara në Sistemin e Prokurime Elektronike (SPE) gjatë vitit 2022, për prokurime publike me vlerë totale prej 170,200,854,721 lekë, numri i ankesave unike të paraqitura pranë Komisionit të Prokurimit Publik është 532 të cilat arrijnë vlerën prej 20,412,194,409 lekë.
Në total pranë Komisionit të Prokurimit Publik, janë paraqitur ankesa unike për 12% të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar ose 8.19% e procedurave unike të prokurimit të publikuara në SPE në vitin 2022
Nga 794 (shtatëqind e nëntëdhjetë e katër) ankesa, 308 prej tyre ose rreth 39%, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit dhe 486 ankesa ose rreth 61% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave” thuhet në raport.
Por pavarësisht ankimimeve të bëra nga biznesi Komisioni i Prokurimit Publik jo në të gjithë rastet ka parë të arsyeshme pranimin e tyre.
Sipas shifrave Nga 794 ankesash në total, si dhe 70 ankesash të mbartura nga viti 2021, janë pranuar 343 (treqind e dyzetë e tre) ankesa, nuk janë pranuar 335 (treqind e tridhjetë e pesë), nuk janë marrë në shqyrtim 3 ankesa; është mbyllur çështja për 89, si dhe ka përfunduar procedimi administrativ për 39 prej tyre.
Raporti vlerëson se gjatë vitit 2022, nga totali i ankesave të shqyrtuara (ankesa të vitit 2022, si edhe ankesa të vitit 2021 për të cilat Komisioni është shprehur me vendim në vitin 2022), për 492 prej tyre të cilat lidhen me fazën e vlerësimit, me fond limit 17,9 miliardë lekë pa TVSH, rezulton se:
“Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik pas ushtrimit të mjeteve të rishikimit, ankimit administrativ nga operatorët ekonomikë, me anë të dorëzimit të ankesave pranë̈ Komisionit të Prokurimit Publik, KPP-ja pas shqyrtimit të ankesave, nga vendimmarrja e kësaj të fundit, i ka kursyer buxhetit të shtetit, vlerën prej rreth 115.9 milionë lekë pa TVSH, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është̈ pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Në lidhje me vendimmarrjen në fazën e vlerësimit të ofertave, rezulton se 33 % e ankesave të shqyrtuara në këtë fazë janë pranuar nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik, në krahasim me 55 % të ankesave të pranuara në fazën e dokumenteve të tenderit” thuhet në raportin e KPP./MONITOR