Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz

Sport

Tenis/ Jannik Sinner shkatërron Novak Djokovic, shkon për herë të parë në finalen e Wimbledon! Sfidohet nga kampioni në fuqi, Alcaraz

12 Korrik, 08:39| Përditesimi: 12 Korrik, 08:53

  • Share

Londër, Angli - Jannik Sinner dhuroi një paraqitje mbresëlënëse në gjysmëfinalen e Wimbledonit duke mposhtur Novak Djokovic me rezultatin dominues 6-3, 6-3, 6-4 (3-0 me sete), për të siguruar biletën drejt finales që luhet më 13 korrik kundër Carlos Alcaraz. Kjo është finalja e parë e Wimbledon për Sinner.

Sinner do të kërkojë hakmarrje kundër rivalit Alcaraz në një përsëritje të finales së tyre epike të 'French Open' muajin e kaluar, e cila zgjati 5 orë e 29 minuta, të fituar nga spanjolli.

Sinner - Italiani 23-vjeçar, aktualisht numri një në botë, ishte në kontroll të plotë gjatë gjithë sfidës, duke e thyer herët ritmin e Djokovic dhe duke mos e lejuar asnjëherë të rikthehej në lojë. Pavarësisht një dëmtimi të mëparshëm në bërryl, Sinner u shfaq në formë të shkëlqyer fizike dhe mentale, duke luajtur tenis agresiv dhe me saktësi kirurgjikale.

Kjo është finalja e katërt radhazi në Grand Slam për Sinnerin, por e para në Wimbledon, aty ku të dielën do të përballet me kampionin në fuqi Carlos Alcaraz, në një përballje që premton spektakël dhe rivalitet të madh.

Alcaraz, i cili eliminoi amerikanin Taylor Fritz me shifrat 6-4, 5-7, 6-3, 7-6(6) në një ndeshje të luftuar, ka arritur finalen e tij të tretë radhazi në Wimbledon dhe synon mbrojtjen e titullit. Sinner ndërkohë, kërkon hakmarrje për finalen dramatike të Roland Garros, ku kishte shpërdoruar tri pikë për titull përballë spanjollit.

Humbja për Djokovic nënkupton fundin e shpresës për titullin e tetë në Wimbledon, çka do ta barazonte me rekordin historik të Roger Federer, si dhe për trofeun e tij të 25-të në Grand Slam, një objektiv që mbetet për më vonë.

Finalja mes Sinner dhe Alcaraz do të jetë e pesta mes tyre në turnetë madhorë dhe pritet të vendosë jo vetëm titullin e Wimbledonit, por edhe epërsinë në rivalitetin e ri që po formëson të ardhmen e tenisit botëror.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?