Kultura

Tenori Saimir Pirgu mban koncert magjik në Shirokë, ngre peshë zemrat e publikut shkodran

6 Shtator, 13:36| Përditesimi: 6 Shtator, 13:52

  • Share

Tenori me famë botërore Saimir Pirgu dhuroi një koncert magjik në Shirokë, duke mahnitur publikun shkodran me interpretimin e tij. Orkestra Simfonike e Shkodrës, kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” dhe dirigjentja Elda Laro u bënë pjesë e mbrëmjes së paharrueshme.

***

Shiroka u shndërrua në skenën më të bukur të artit mbrëmjen e së premtes, ku tenori me famë botërore Saimir Pirgu mahniti publikun shkodran me një performancë të jashtëzakonshme.

Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin virtuoz të Elda Laro dhe kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” krijuan një atmosferë unike, duke ngritur disa herë në këmbë spektatorët mes duartrokitjeve të pandërprera.

Tenori Saimir Pirgu falenderoi publikun për energjinë e jashtëzakonshme.

“Është një emocion shumë i madh për mua, ishte hera e parë në Shkodër. Falë kryetarit që më ka ftuar, falë Bashkisë së Shkodrës, falë këtyre fëmijëve që kanë kënduar në mënyrë të përsosur, unë ndihem shumë i emocionuar. Në qoftë se njëri prej tyre do bëhet këngëtar dhe do bëhet tenor apo soprano, unë e kam bërë detyrën time. Dhe kjo është gjëja më e bukur që kam bërë. Nuk duhet Saimir Pirgu të thotë që Shkodrën e ka bekuar Zoti, me det, me liqen, me dy lumenj, me një peisazh të përkryer, me male, me Bjeshkët tona të Shqipërisë. Çka më bukur? Falë punës së kryetarit tashmë dhe besoj në kohë të shkurtër do kemi koncerte të tjera dhe mundësi të tjera”, u shpreh tenori Saimir Pirgu.

“Kemi disa plane shumë të bukura së bashku me maestron, kemi parë teatrin, kemi menduar që ajo do të kthehet në një ikonë të muzikës. Shkodra e ka shpirtin, Shkodra e mundësinë, Shkodra e ka historinë”, tha kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Artistja e njohur Zana Çela dhe kompozitori Zef Çoba, vlerësuan se Shiroka këtë mbrëmje ishte më e bukur se kurrë.

“Jam veçanërisht e lumtur që Shiroka, Liqeni i Shkodrës, një nga destinacionet më të bukura natyrore që vendi ynë ka, u ndriçua në mënyrë tepër të veçantë sot nga Saimir Pirgu dhe ky koncert i mrekullueshëm që ai solli së bashku me Orkestrën Simfonike”, u shpreh Zana Çela.

“Koncert me një këngëtar që është kaq i mirënjohur dhe i suksesshëm siç është Saimir Pirgu, me një repertor tejet të zgjedhur dhe sfidues për çdo këngëtar që është i kalibrit si puna e tij”, tha kompozitori Zef Çoba.

Një mbrëmje ku arti, publiku dhe bukuria e Shirokës u bashkuan në një simfoni të përsosur.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?