Një incident është regjistruar ditën e sotme pranë KZAZ-së numër 22 në Durrës, ku është konstatuar një parregullsi në një prej kutive të votimit. Dy vota rezultojnë më tepër nga sa ishin votues, duke ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e kutisë në fjalë.
Situata është bërë e njohur nga kandidatja e listave të hapura të Partisë Demokratike, Jola Hysaj, e cila ka kërkuar që të ndërpritet procesi dhe të rinisë vlerësimi i kutisë problematike.
Ajo ka theksuar se duhet të zbatohen të gjitha procedurat ligjore sipas rregullave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rastet kur numri i votave del më tepër se sa pritet.
Ndërkohë, situata është tensionuar kur anëtarë të Partisë Socialiste kanë ndërhyrë dhe kanë kërkuar që procesi i numërimit të vazhdojë normalisht, duke u shprehur se nuk ka vend për alarm.
“Në fakt duket se është shënuar tashmë një situatë pranë KZAZ-së numër 22 me precedentin e parë ku dy vota dalin tepër në një kuti votimi. Është konstatuar kjo situatë nga kandidatja e listave të hapura të Partisë Demokratike Jola Hysaj, e cila ka kërkuar që të rinisi procesi i vlerësimit të kësaj kutie duke u kryer edhe procedurat përkatëse sipas ligjeve të KQZ-së në lidhje me kutinë që numri i votave del më tepër. Situata është tensionuar nga ndërhyrja e anëtarëve të Partisë Socialiste të cilët kanë kërkuar që procesi të vazhdojë, normalisht teksa kanë komunikuar dhe me komisionerët, kemi të bëjmë siç deklarojnë dhe ata me një lapsus,” - tha për Report Tv gazetari Aldo Mustafa nga Durrësi.
Komente
