Luciano Spalletti

Sport

Tension te Italia, Spalleti kundër Acerbit dhe Mancinit: Robertos do i kenë vjedhur telefonin

6 Qershor, 15:56| Përditesimi: 6 Qershor, 15:59

  • Share

OSLO - Norvegjia dhe Italia do përballen sot në orën 20:45 në stadiumin e Oslos për Grupin I kualifikues në Kupën e Botës. Përpara takimit te të kaltrit situata nuk është e qetë.

Trajneri Luciano Spalletti është vendosur në qendër të vëmendjes jo vetëm për zgjedhjet taktike, por edhe për deklaratat e forta në konferencën për shtyp.

Në një fushatë kualifikuese ku presioni është maksimal pas dy dështimeve radhazi për në Kupën e Botës, tensionet e brendshme duket se po e komplikojnë më tej situatën. Spalletti nuk i kurseu komentet për Francesco Acerbin, i cili refuzoi ftesën në kombëtare me arsyetimin se “nuk është i mirëpritur”.

“Nuk mund të them shumë për komentin e bërë nga Acerbi, por pranoj se nuk mund ta kaloj këtë diskutim pa u sqaruar. Dua të takohem me të personalisht dhe të kuptoj se ku e ka marrë vesh ai se nuk ka qenë i mirëpritur?”, u shpreh qartë trajneri i Italisë.

Por përplasjet nuk u ndalën këtu. Spalletti hodhi edhe një thumb në drejtim të ish-trajnerit Roberto Mancini, i cili duket se ka qëndruar pas Acerbit në mënyrë të tërthortë. Më konkretisht, Mancini kishte pëlqyer një nga postimet e mbrojtësit në platformën “X” (ish-Twitter), gjë që nuk i ka shpëtuar syrit të teknikut aktual.

“Mendoj se Robertos do t’i kenë vjedhur celularin dhe po i përdorin rrjetet e tij sociale në mënyrë të tillë që ai të bëjë figurë të keqe”, ironizoi Spalletti me tone të qarta sarkastike.

Në prag të një ndeshjeje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e Italisë në rrugëtimin drejt Botërorit 2026, tensionet e brendshme dhe përplasjet publike nuk janë skenari ideal për një skuadër që kërkon rikthimin në majat e futbollit botëror.

Italia luan sot ndeshjen e parë në grup, pasi ishte e impenjuar në Ligën e Kombeve. Nga ana tjetër, Norvegjia pas dy përballjeve të luajtura mban vendin e parë me dy fitore dhe gjashtë pikë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?