Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mesa duket janë në një moment tensioni mes tyre, dhe shkak është Groenlanda.
Danimarka ka thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së në lidhje me përpjekjet e pretenduara për të ndërhyrë në statusin e Groenlandës.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, ka thënë se "çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë padyshim do të jetë e papranueshme".
Takimi me të ngarkuarin me punë të SHBA pritet të ndodhë më vonë gjatë ditës.
Këto zhvillime vijnë pasi transmetuesi publik i Danimarkës, “DR”, ka raportuar se shërbimet daneze të inteligjencës kanë zbuluar një rrjet prej të paktën tre personash që punojnë në Groenlandë për të krijuar një ndarje midis Danimarkës dhe ishullit, në një përpjekje për t'i hapur rrugën asaj për t'u afruar me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka shprehur hapur ambicien që Groenlanda të bëhet pjesë e SHBA.
Televizioni publik informoi se i disponon emrat e tre burrave amerikanë të përfshirë në operacionin e ndikimit, por zgjodhi të mos i publikonte për të mbrojtur burimet. Megjithatë shtoi se këta persona më parë njiheshin si të afërt me Presidentin Trump, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse ata punonin me urdhër të Shtëpisë së Bardhë apo individualisht.
Pretendohej se njëri nga burrat vizitoi Groenlandën për të marrë pjesë në takime dhe për të përpiluar një listë të aleatëve dhe kundërshtarëve të mundshëm të planeve të Donald Trump për të pushtuar territorin.
Dy burrat e tjerë dyshohet se ishin të përfshirë në ndërtimin e rrjeteve të kontakteve me politikanë, figura biznesi dhe udhëheqës të komunitetit për të ndjekur planet e Presidentit Trump.
Groenlanda është ishulli më i madh në botë. ¾ e sipërfaqes së saj janë të mbuluara nga akulli gjatë gjithë vitit. Ajo është pjesë e Danimarkës, por ka statusin e një krahine autonome dhe vetëqeverisëse.
Komente

Ndaj e merr me te mire Putinin Trampi se kane te njejtin oreks per territore.
Përgjigju