Momenti i tensionit në Parlament, kur Bardhi dhe Dogjani i drejtohen 3 ministreve në foltore
Tensionohet situata në Kuvend, ku po diskutohet në seancë maratonë dyditore buxheti 2025, që në fund do kalojë edhe për miratim.
Nuk kanë munguar akuzat dhe fyerjet në sallë nga ana e opozitës në disa momente, ndaj ministrave të kabinetit dhe kolegëve deputetë.
Më aktivi ka qenë kreu i grupit, Gazment Bardhi, i cili në momentin që Asllan Dogjani doli të fliste për PD, u pa teksa punonjësit e Gardës u rreshtuan në gardh te foltorja për të penguar ndonjë incident.
Bardhi tentoi t’i afrohej rreshtit të ministrave, duke akuzuar disa prej anëtareve të kabinetit dhe veçanërisht atë të Arsimit, Ogerta Manastirliu, pasi çështja e opozitës sot ka qenë vrasja e 14-vjeçarit ditën e djeshme pas sherrit në shkollë dhe Bardhi e cilësoi ministren edhe si “vrasëse”.
“Ja kanë shtruar muhabetit të treja si plakat!”, u shpreh Bardhi në nervozizëm e sipër afër foltores, duke treguar gishtin, meqë Ogerta Manastirliu po bisedonte me dy kolege të sajat.
Ministrja në ato çaste po fliste me Kumbaron e Ballukun, teksa Dogjani kërkonte 1 minutë heshtje për Martinin e vrarë.
“Ajo është vrarëse...!”, shtoi ai më tej, duke ngritur tonet, duke kujtuar se kishte ndodhur një ngjarje e rëndë në shkollë.
Dogjani vijoi fjalën e tij më tej, duke kërkuar minutë heshtje për 14-vjeçarin.
“Të mbajmë 1 minutë heshtje për Martinin, 14 vjeçarin e vrarë. Ta respektojmë Martinin, familjarët e tij. Ngrihuni dhe të mos presim që nesër të ndodh te fëmija e ndonjërit prej këtu. Ngrihuni t’i largojmë këta horra, këta banditë....”, u shpreh deputeti demokrat.
Në këto momente Spiropali i ndërpreu fjalën, duke i kërkuar që të mos fyente dhe seanca vijoi me deputetin e radhës, teksa Bardhi dhe Dogjani hodhën akuza të reja pa mikrofon drejt foltores.
Lajmi kryesor:
Kuvendi miraton në parim pr/buxhetin e vitit 2025, PS kalon portofolin 8.2 miliardë euro me 75 vota! PD-së i dështon protesta
A.Q/ReportTv.al