Kryeministri armen, Nikol Pashinian, ka bërë thirrje për një prezencë më të madhe ndërkombëtare për t’i qetësuar tensionet me Azerbajxhanin rreth zonës së Nagorno Karabakut. Kjo thirrje vjen pak pasi Rusia emëroi një nga komandantët e saj më të lartë ushtarak si udhëheqës të një forcë paqeruajtëse për në rajonin e shkëputur.
Duke folur gjatë një seance qeveritare të enjten, më 27 prill, Pashinian e akuzoi se kishte nisur një provokim duke instaluar një pikë kontrolli në rajonin e Shushit, duke bërë që pak a shumë të izoloheshin katër komunitete.
Jerevani zyrtar veçse e ka akuzuar Bakun zyrtare për nxitje të tensioneve përmes bllokimit të Korridorit Lachin, e vetmja rrugë që lidh rajonin e populluar kryesisht me armenë me Armeninë.
Zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Elnur Mammadov, ka thënë se pika e kontrollit është ngritur si përgjigje ndaj “shqetësimeve për siguri shkaku i keqpërdorimit të vazhdueshëm nga Armenia të rrugës për transport të armëve dhe aktivitete të tjera të paligjshme”.
Armenia kërkon nga Putini të veprojë për bllokadën në Nagorno-Karabak
Baku thotë se bllokada, e cila nisi më 12 dhjetor, është bërë nga “eko-aktivistët” azerbajxhanas – të cilët në përgjithësi besohet se kanë vepruar sipas një urdhri qeveritar. Zyrtarët azerbajxhanas thonë se rruga është e hapur për qëllime humanitare, por një gjë të tillë e ka mohuar Armenia.
Pashinian akuzoi Azerbajxhanin se jo vetëm po nxit rritjen e tensioneve në rajon, por edhe e fajësoi atë për thellimin e një krize humanitare në Nagorno Karabak.
“Kjo duhet të jetë qendra e vëmendjes për të gjithë ne, komunitetin ndërkombëtar”, tha ai. “Përveç Federatës Ruse, askush nuk duhet të kontrollojë Korridorin e Laçinit”, shtoi ai.
Thirrja e Pashinianit erdhi pasi ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, e nisi një vizitë në Azerbajxhan për të zhvilluar bisedime mbi zbutjen e tensioneve në Kaukazin jugor. Armenia ka apeluar tashmë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me këtë pikë kontrolli.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë pasur përplasje në një konflikt për Nagorno Karabakun për dekada. Kjo zonë kryesisht armene është pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e forcave armene etnike të mbështetura nga Armenia që nga përfundimi i një lufte separatiste atje në vitin 1994.
Rusia ka rreth 2.000 paqeruajtës të dislokuar në Nagorno Karabak, pasi kishte ndërmjetësuar një marrëvëshje armëpushimi mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në fund të vitit 2020.
Rusia tha të mërkurën, më 26 prill, se kishte emëruar gjeneralkolonelin Aleksandr Lentsov, zëvendës komandantin e përgjithshëm të forcave tokësore ruse, si kreun e forcës paqeruajtëse, duke zëvendësuar kështu gjeneralmajorin Andrei Volkov, një oficer më me gradë më të ulët.
Moska nuk ka dhënë detaje mbi këtë vendim, por ai erdhi pasi Pashinian dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike.
Zyrtarët armenë kanë qenë kritikë ndaj Moskës që dukej se ka lejuar vazhdimin e bllokadës. Kremlini është i njohur për ndaljen e dhunshme të protestave në vend, por paqeruajtësit rusë deri më tani nuk kanë bërë asnjë përpjekje për ta rihapur me forcë rrugën për në Nagorno Karabak./REL