Mali i Zi po përballet me një situatë të tensionuar pasi më 5 shtator është planifikuar ceremonia e marrjes së detyrës së metropolit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije. Ceremonia është menduar të organizohet në Cetinje të Malit të Zi, mirëpo ka pasur kundërshtime nga ana e komunës, disa organizatave dhe partisë opozitare të drejtuar nga presidente Milo Gjykanoviç. Komuniteti Ndërkombëtar ka bërë thirrje për ulje të tensioneve, në një kohë që Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi shprehu shqetësim për situatën e sigurisë. Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën Kishën Autoqefale të Serbisë, por synon pavarësinë nga Kisha Ortodokse Serbe.
Ngjarja vjen në një kohë të tensionuar për vendin, pas miratimit në 2019 të ligjit për Liritë fetare, në të cilën qeveria kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.
Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.
Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet. Më 1992, Metropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviç (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga "separatistët malazezë".
Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.