Prishtinë- Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës në Veri janë ngritur përsëri, teksa mediat serbe lajmërojnë se Vuçiç mund urdhërojë të sulmojë Veriun.
Presidenti serb ka lajmëruar rreth orës 18:00 të mbrëmjes së sotme (13 Shtator) një konferencë të jashtëzakonshme, ku pritet të shfaqë 8 ose 9 pika, mes të cilave largimin e policisë kosovare nga veri, kthimin e asaj serbe, lirimin e të arrestuarve për sulmin e 24 Shtatorit 2023 në Banjskë dhe të tjera si asociacioni i komunave në Veri.
Nga ana e saj Policia e Kosovës ka bërë një operacion në të cilin ka zbuluar sasi të mëdha në valutë në Leposaviç, duke mbyllur të ashtuquajturën “Banka Popullore Serbe”, nëpërmjet Drejtorisë së Thesarit, pasi dyshohej se do i shpërndaheshin grupeve që do përfshiheshin në sulme të mundshme në veri.
Gazeta serbe DANAS ka publikuar se Vuçiç mund të urdhërojë okupimin e veriut të Kosovës sot. Autoritetet e Prishtinës dhe presidentja Vjosa Osmani i ka kujtuar homologut të saj se “do mbajë përgjegjësi” kërcënon apo jep një urdhër të tillë. Edhe në Zubin Potok janë shfaqur pamflete dhe grafite me fotot e të kërkuarit për sulmin e Banjskës, Milan Radoiçiç dhe grupit të tij, teksa reklamohet kthimi i policisë serbe në Veri.
REPORT TV ka intervistuar gazetarin kosovar Venhar Isufi nga Prishtina në një lidhje direkte, që dha detajet e mësipërme dhe të tjera informacione, në një intervistë me moderatorin Nertil Agalliu.
Nertil Agalliu-Çfarë po ndodh në Veri të Kosovës?
Venhar Isufi: Kemi në fakt një aksion që e ka realizuar dje Policia e Kosovës në Leposaviç, ku kanë sekuestruar një sasi të madhe me denarë, dollarë dhe euro në një institucion të ashtuquajtur “Banka Popullore serbe”, duke e mbyllur. Për këtë, policia kosovare sot ka dhënë detaje, ku ka bërë të ditur se përveç parave ka sekuestruar edhe DVR dhe pajisje kompjuterike dhe materiale të tjera që në fakt do i shërbejnë policisë së Kosovës, por edhe Prokurorisë, që pastaj të fillojnë hetimet se si janë përdorur këto të holla (shumat monetare).
Nga ajo që kemi mësuar deri tani kemi të bëjmë me shpërndarje të madhe parash, të cilat janë përdorur nga kjo “Bankë Popullore” e ashtuquajtur serbe dhe pastaj vendimi që këto të konfiskohen dhe Drejtoria e Thesarit në Leposaviç të mbyllet nga ana e Krimeve Ekonomike, e cila është në kuadër të Policisë së Kosovës. Ka pasur një kërkesë që ka ardhur nga Gjykata e Mitrovicës, dje rreth orës 12, kur dhe ka filluar aksioni dhe tashmë ajo degë është mbyllur nga ana e Policisë së Kosovës dhe hetimet janë duke u zhvilluar.
Nertil Agalliu- Ndërkohë që ka pasur një informacion dhe njoftim të medias serbe, teksa sot në orën 18:00 Vuçiç do të dalë në një konferencë për shtyp. A janë shtuar masat e sigurisë në Veri të Kosovës, ku kemi edhe prani të KFOR-it, pasi mediat në Serbi e paralajmërojnë konferencën e jashtëzakonshme të presidentit serb, ç’ka do të thotë se Vuçiç mund të ndërmarrë hapa në lidhje me Veriun e Kosovës. Pra jemi në prag të një konflikti, kujtojmë dhe vizitën e shefit të CIA-s në rajonin e Ballkanit?
Venhar Isufi: Në komunën e Zubin Potokut janë shfaqur disa pamflete në të cilat shihen Milan Radoiçiçi dhe grupi i tij, për të cilët tashmë Prokuroria Speciale ka ngritur akt-akuzën si autor kryesor të sulmit të 24 Shtatorit në Banjskë, dhe e gjitha kjo ka ardhur në ditën kur presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në orën 18:00, pritet të shpallë të gjitha ato kërkesat e tij, që tashmë janë bërë të ditura: Si shpallja e okupimit të komunave veriore, gjithashtu edhe grafitet në Zubin-Potok ku thuhet se ushtria serbe kthehet në Kosovë. Policia e Kosovës është njoftuar dhe po e heton këtë rast.
Ka prezencë të policisë kosovare, që po e vëzhgon situatën në komunat veriore. Gjithashtu ka edhe pjesëtarë të KFOR-it, por edhe zyrtarë për zbatimin e ligjit të BE-së, EULEX dhe kështu policia ka marrë të gjitha masat pas këtyre parave apo kërcënimeve që i ka bërë jo vetëm Vuçic, por edhe kryeparlamentarja Ana Bernabic dhe zv/kryeministri Aleksandër Vulin, që kanë thënë se situata mund të përshkallëzohet shumë shpejt.
Por përveç këtyre veprimeve, situata duket krejt e qetë. Përveç faktit të Zubin-Potokut, ku janë hedhur pamfletet dhe ku shprehet se në momentin që bëhet thirrje qytetarët do i përgjigjen me reagim. Ajo që ka tendencë dhe vetë Serbia është tentativa për të trajnuar këto grupe në vendin e saj, që më pas t’i përdorë ato që të krijojë tensionet në Komunar Veriore, por kjo do të thotë pastaj se Serbia do të ballafaqohet jo vetëm me NATO-n por edhe me Policinë e Kosovës, sepse në pikat kufitar dhe rrugë ka prezencë të shtuar të policisë së Kosovës, të cilat kujdesen të parandalojnë çdo përshkallëzim të situatës.
Nertil Agalliu- Përveç presidentes Osmani, a ka pasur reagim nga kryeministri Albin Kurti, nisur nga fakti se Vuçiç ditë më parë u takua edhe me ambasadorin e Rusisë në Beograd?
Venhar Isufi: Ka ardhur një reagim nga kryeministri Kurti, por është shumë i shkurtër, i cili ka thënë se nuk i komention paralajmërimet, por as lajmet që kanë qarkulluar për deklaratat e Vuçiçit, i cili do i shpalos ato sot, 8 apo 9 kërkesa. Në të cilat thuhet se duhet të kthehet policia serbe, të tërhiqet policia e Kosovës, gjithashtu për gjyqtarë dhe prokurorë, gjithashtu asocimi i komunave me shumicë serbe, të lirohen të arrestuarit serbë për sulmin e 24 Shtatorit në Banjskë.
Por të gjitha këto kryeministri Kurti nuk i ka komentuar, nuk ka dashur në fakt që të merret me këto paralajmërime, sepse është shprehur shkurtimisht ‘nuk merret me paralajmërimet dhe me lajmet që kanë qarkulluar së fundmi nga mediat serbe”.
Kështu që ne presim gjatë ditës së sotme, nëse do të ketë reagime për këto paralajmërime që i ka bërë presidenti i Serbisë.