Tiranë- Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK, që të vendoste në dispozicion të avokatëve dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe të Erion Alibejt vetëm për faktet që janë objekt gjykimi tek dosja “Plumbi i artë”.
Ndërsa rrëzoi kërkesën e avokatëve që të viheshin në dispozicion dëshmitë e plota edhe për ngjarje të tjera. Ky vendim i gjykatës ngjalli reagimin e tre avokatëve Gentian Rumano, që mbron Henrik Hoxhë, Elda Zotaj dhe Aldo Shkëmbi, që mbrojnë Altin Ndocin, të cilët kërkuan përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese dhe ndërprerjen e procesit derisa një gjyqtar tjetër të marrë vendimin për kërkesën e tyre.
Me këtë kërkesë nuk u bashkuan të gjithë avokatët, ku një pjesë e tyre kërkuan vijimin e gjykimi, për shkak se në disa seanca me radhë, procesi ka mbetur në vendnumëro. Prokurorja Doloreza Musabelliu i kërkoi trupës gjykuese të vijonte seanca pavarësisht kërkesës për dorëheqje. Seanca pati debate mes prokurorit Behar Dibra e avokatit Gentian Rumano, dhe ky i fundit la sallën e gjyqit në mënyrë demonstrative, duke bërë që seanca të shtyhej.
Në këto kushte, GJKKO shtyu seancën për datën 15 korrik në orën 10:00 dhe pezulloi afatet e paraburgimit për personat e akuzuar. Këtë të enjte pritej të niste dëshmia e bashkëpunëtorit të tretë të drejtësisë në këtë proces, Skerdi Tase.
Edhe seancën e kaluar pati debate mes palëve, pasi avokati Rumano u kërkua të zëvendësohej për shkak të zvarritjeve dhe i pandehuri Henrik Hoxhaj kërkoi avokat të ri mbrojtës. Kurse avokati i caktuar kryesisht tha se nuk mundej t'i bashkohej procesit për shkak të ngarkesës dhe gjyqeve të tjera. Prokuroria Dibra ka deklaruar se pala mbrojtëse po tenton zvarritjet me procedura dhe kërkon vijimin e procesit.
Dumani dhe Alibej kanë rrëfyer të gjithë sagën kriminale të një dekade dhe veçanërisht atë të nisur pas "Masakrës së Bradasheshit" në Elbaan më 2018, kur u vranë vëllai i Alibejt, xhaxhai i tij dhe një mik turk i familjes. Motivet e armiqësive mes grupeve kriminale përveç hakmarrjes, kanë qenë edhe prishja e pazareve të drogës, rivaliteti në biznesin e paligjshëm dhe kontrolli i territorit.
Komente
