Nuredin Dumani dhe Erion Alibej

Kronikë

Tensione te ‘Plumbi i artë’, avokati i Hoxhajt gjobitet pas largimit, seanca shtyhet! Alibej: Jam gati të përballem me këdo, i di lojërat e këtyre! SPAK: S’duhet të dali dëshmia

3 Korrik, 12:56| Përditesimi: 3 Korrik, 15:28

  • Share


U zhvillua sot e shoqëruar përsëri me tensione dhe debate të forta mes palëve, seanca e radhës e procesit “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme.

Pas diskutimeve të avokatëve që kërkojnë dëshminë e plotë të bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej, ka reaguar edhe vetë ky i fundit. Seancën e kaluar GJKKO pranoi kërkesën që avokatët të njiheshin me rrëfimin e bashkëpunëtorit në SPAK, të dhëna dy vjet më parë.

Erjon Alibej u shpreh:

“Unë kam bërë një deklarim shumë të gjerë dhe në gjykimin tim i takon vetëm 25% të këtyre të akuzuarve këtu. Kush e mbron Plarent Dervishajn nga ju? Suel Çelën? Apo njerëz të trafikut të drogës? Për persona që nuk janë pjesë e këtij procesi, unë do isha i pari që do i kërkoja gjykatës të viheshin fashikujt në dispozicion. Kam dhënë një deklarim shumë të madh, kam përmendur shumë njerëz. Sa herë që do kërkohet nga çdokush, unë mezi pres të ballafaqohem me këdo. Do ju lutesha që deklarimet e mia të mëparshme të mos i viheshin në dispozicion avokatëve. Unë i di shumë mirë lojërat e këtyre. Avokatëve nuk u intereson çfarë kam thënë unë, por kanë interes për kundërshtarët tanë që janë jashtë”.

Në këtë moment të pandehurit u ngritën dhe u larguan nga salla. Kurse prokurori Behar Dibra kujtoi se procesverbali është i shkruar dhe dokumentuar.

“Ai procesverbal është me formë të shkruar, është dokumentim i marrjes në pyetje i Erjon Alibej, në datat 15-20 qershor 2022. Procesverval transkriptimi, aty ka të dhëna dhe për fakte të tjera. Dhe për aktivitet trafikimi narkotikësh, nuk është objekt i ketij gjykimi. Nuk ka vlerë juridike. Ja vumë në dispozicion gjykatës  për të treguar se nuk kemi gjë për të fshehur, apo për ta mbajtur sekret. Por nuk ka vlerë juridike. Dua të mos ketë më diskutime në këtë pikë, por të vazhdojë gjykimi”, tha ai, duke ngriur shqetësimin se materialet kanë informacione që nuk duhet të dalin përtej institucionit deri në momentin e përshtatshëm të procesit, sepse nuk u përkasin palës mbrojtëse apo të pandehurve.

Pas këtyre debateve të forta, u ndërpre edhe seanca në procesin “Plumbi i Artë”. Shkak u bë largimi i avokatit Gentjano Rumano, i cili në këtë proces mbron të pandehurin Henrik Hoxhaj. Në këto kushte GJKKO gjobiti Rumanon me 100 mijë lekë, ndërsa seanca e radhës u caktua në 8 korrik ora 10:00, ku do vijojë me dëshminë e bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë Skerdi Tase.

Në këtë proces është i penduar i drejtësisë edhe Nuredin Dumani, i cili zbërtheu i pari aktivitetin kriminal të organizatave të ndryshme dhe një sagë të gjatë ekzekutimesh dhe krimesh në Shqipëri, me pagesë apo për hakmarrje dhe rivalitet në aktivitetet e paligjshme. Dumani seancën e kaluar shprehu dëshirën që të ishte prezent gjatë dëshmisë së mikut të tij, bashkëpunëtorit Erion Alibej.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?