Një strukturë e paligjshme e ngritur nga kandidati i PD-së, ish-gjyqtari Gjin Gjoni, e ka kthyer Lezhën në vatër të nxehtë elektorale, në këtë prag 11 maji. Persona të angazhuar nga strukturat e PD-së dalin në terren, kryesisht gjatë natës, për të frenuar sipas tyre blerjen e votës. PS nga ana tjetër akuzon se këto grupe janë edhe të armatosur.
Lidhur me incidentin e një nate më parë, ku kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Eduard Ndocaj, bllokoi një automjet të nënkryetarit të bashkisë së Lezhës, Fatjon Zefi, bashkë me kreun e PS-së në fshatin Kolsh, me pretendimin se po blinin vota, ka dalë edhe një tjetër video ku është përfshirë edhe kandidati i Berishës, Gjin Gjoni. Është vetë Zefi që ka ndarë një video ku dallohet që i kanë bllokuar makinën dhe pranë ia afrohet Gjin Gjoni, duke e pyetur, 'Ç'po bën? Ku po shkon?', ndërsa i thotë edhe 'Po të kontrolloj'.
Zefi ka bërë thirrje për reagim të organeve të drejtësisë dhe ka njoftuar se pas kallëzimit në Komisariatin e Lezhës, do t’i dorëzohen materialet filmike dhe do të depozitohet kallëzim në SPAK për ‘bandën me persona të inkriminuar’ të PD-së që, sipas tij, po ushtrojnë presion në qytet.
“Fytyra e vërtetë e bandave të 'Shqipërisë Madhështore', ku kandidatët për deputet të cilët kanë punuar në sistemin e drejtësisë dhe i dinë më mirë ligjet dhe të drejtat e njeriut, ushtrojnë terror me zë dhe figurë në çdo cep të Shqipërisë në justifikim të humbjes që i pret më 11 Maj. Presioni dhe shantazhi nuk ndal të drejtën, përkundrazi, pas kallëzimit në komisariatin e policisë Lezhë, do dorëzohen të gjitha materialet filmike dhe do pasojë kallëzimi në SPAK për gjithë bandën me persona të inkriminuar, kallëzim për shkelje të të drejtave, ushtrimin e presionit dhe shpifjes. Peshën më të madhe do ta marrë në kallëzim edhe Kaubojsi që mbrëmë na u prezantua si deputet,” shkruan Zefi në postimin e tij.
Për rastin, nënkryetari i bashkisë së Lezhës bëri kallëzim në polici se një 38-vjeçar, banor i Kolshit, për motive që lidhen me fushatën elektorale, i bllokoi rrugën me automjetin e tij. Policia njoftoi se nisi hetim në gjendje të lirë për 38-vjeçarin për prishje të qetësisë publike, pengim të qarkullimit dhe kanosje.
Në postimin në Facebook, Zefi thotë se për rastin do t’i drejtohen edhe SPAK me kallëzim.
Komente
