Një ditë pasi Bashkimi Europian kritikoi Kosovën dhe tha se veorimet për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve, presidenti francez Emmanuel Macron nga Tirana tha se shpreson që në javët në fijim të rinisë dialogu mes palëve. Deklarata e Macron u dha për gazetaren e Report Tv Razeiela Myslimaj, e cila e pyeti edhe për kritikat e presidentes Vjosa Osmani se kredibiliteti i Bashkimit Evropian po dëmtohet.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun Kosovë-Serbi. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë. Ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballë përballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhme të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beogradin”,tha Macron.
Ai përmendi shqetësimet e BE-së për “vështirësi politike sociale” në Kosovë e Serbi dhe tha se këto qëndrime të BE-së janë të njohura dhe nuk janë diçka e re. Për Macron, avancimi në procesin e dialogut është i rëndësishëm për sigurinë të gjithë rajonit.
“Secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale për të bërë të mundur avancimin. Është e rëndësishme për gjithë rajonin. Mendoj se kërkesat janë legjitime, s’mund të lëmë të vendoset një dialog i tërthortë, nuk është mënyra korrekte për të avancuar. Të paktën kemi një vullnet për qëllimin e avancimit për sigurinë e Europës. Për bashkimin e saj duhet ta bëjmë këtë udhë, por është legjitime të kemi ekzigjenca për këtë gjë. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin. Do vazhdojmë të ecim, do t’i riangazhojmë, ne do shkojmë krahas partnerëve europianë që gjërat të avancojnë në Kosovë”, theksoi Macron.
Një ditë më parë, Osmani i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, para vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, tha Osmani në Tiranë.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 - pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.
Po dje, Bashkimi Evropian tha se veprimet e ditëve të fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë.
Reagimi i bllokut evropian erdhi pak orë pasi Policia e Kosovës e mori në kontroll një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.
