Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj trazirave në Brazil. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, dënoi dhunën në kryeqytetin, Brasilia, nga mbështetësit e Bolsonaros pasi ata sulmuan disa ndërtesa të qeverisë federale.
"Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje për të minuar demokracinë në Brazil. Presidenti Biden po ndjek nga afër situatën dhe mbështetja jonë për institucionet demokratike të Brazilit është e palëkundur. Demokracia e Brazilit nuk do të tronditet nga dhuna," shkroi Sullivan në Twitter.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se Biden është informuar për situatën.
Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken tha se SHBA kërkon një fund të menjëhershëm të dhunës.
"Ne dënojmë sulmet ndaj Presidencës, Kongresit dhe Gjykatës së Lartë të Brazilit sot. Përdorimi i dhunës për të sulmuar institucionet demokratike është gjithmonë i papranueshëm. Ne i bashkohemi Luiz Inacio Lula da Silva për të kërkuar një fund të menjëhershëm të këtyre veprimeve," shkroi Blinken në Twitter.
Lajmi kryesor:
Tensione në Brazil, mbështetësit e Bolsonaros pushtojnë Kongresin, rrethojnë pallatin presidencial! Nuk pranojnë humbjen në zgjedhje (VIDEO)
S.C/ReportTv.al